Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila sot pezulloi dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

LDK-ja përmes një komunikate, tha po ashtu se mbetet e përkushtuar për të krijuar qeveri të re.

“Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës lidhur me caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, deri më 29 maj, Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet e vendosur që, si edhe deri më tani, të respektojë në tërësi këtë vendim. LDK-ja, me anë të marrëveshjeve politike, ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë së re. LDK-ja mbetet e vendosur që, në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë Qeverinë e re”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Sipas kësaj partie, që në zgjedhjet e fundit doli e dyta pas VV-së, seanca e jashtëzakonshme e thirrur për nesër, do të mbahet pas vendimit final të GJK-së.

“LDK-ja dhe partnerët dje kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, të mbështetur nga 61 deputetë, seancë e cila do të mbahet pas vendimit final të Gjykatës Kushtetuese, meqë LDK-ja është e bindur se procesi i mandatimit të z. Avdullah Hoti është bërë konform normës kushtetuese dhe kompetencave kushtetuese që ka Presidenti i Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.