Gjashtë qytetarë nga Komuna e Podujevës, të cilët janë të karantinuar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, sot janë testuar për COVID-19 dhe të gjithë kanë rezultuar negativë, raporton Llapi.info.  

Këtë për Llapi.info e ka konfirmuar edhe epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama.

“Konfirmimi na ka ardhur nga Instituti se 6 qytetarë që janë referuar nga karantina në konvikte, e që janë bashkatdhetarë nga Komuna e Podujevës që kanë ardhur nga jashtë, të gjashtë rastet sot kanë rezultuar negativë pas testimeve”, ka thënë Rama.

Më tej, Rama ka shtuar se gjendja e pacientëve llapjanë, tashmë të infektuar me COVID-19, është e mirë dhe stabile.

“Nga Podujeva janë vetëm nëntë raste pozitive me COVID-19 prej 15 marsit. Prej tyre, katër janë të shëruar dhe një i moshuar që tashmë ka ndërruar jetë dhe katër të tjerë po presim që të testohen këto dy ditë, e që janë në shërim. Pra, prej 20 prilli nuk kemi pasur asnjë rast nga Komuna e Podujevës me COVID-19”, ka thënë Rama.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar të premten për shtatë raste të reja me koronavirus.

“Rastet pozitive janë raste kontakti dhe sipas vendbanimit: gjashtë (6) raste nga komuna e Prizrenit dhe një (1) rast nga komuna e Suharekës”, është thënë në njoftim.

Përveç kësaj, IKSHPK ka njoftuar se edhe 27 pacientë janë shëruar nga koronavirusi.

Marrë parasysh të dhënat e fundit deri më tani në Kosovë, 813 persona janë infektuar, 298 janë shëruar edhe 22 kanë vdekur si pasojë e virusit korona.

Duke nisur nga 4 maji, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se do të fillojë lehtësimi gradual i masave të izolimit, të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Lehtësimi i masave do të zhvillohet në tri faza./Llapi.info