Federata e Boksit të Kosovës të premten ka njoftuar se do të marrë pjesë në Botërorin e boksit që vitin tjetër mbahet në Beograd. Kjo në fakt nuk është ende e sigurt, por sekretari i përgjithshëm i FBOXK, Mehmet Bogujevci, thotë se nuk duhet të ketë pengesa që boksierët më të mirë kosovarë të paraqiten në ngjarjen më të madhe të boksit amator.

Bogujevci mund të flasë për rëndësinë e pjesëmarrjes në Botëror. Ai mund të flasë edhe për suksesin në ngjarjen kryesore të një sporti. Legjenda e boksit kosovar ka medalje të argjendtë botërore. Medaljen e argjendtë e ka fituar pikërisht në Beograd.

Ishte maji i vitit 1978 kur Botërori i dytë i boksit amator u mbajt në Beograd. Botërori i parë ishte mbajtur në Havana të Kubës në vitin 1974, ndërsa Botërori i dytë iu besua Jugosllavisë së atëhershme. Atë kohë Botërorët organizoheshin çdo katër vjet, jo çdo dy vjet si tani.

Vetë përzgjedhja në ekipin e Jugosllavisë për të garuar në Botëror ishte sukses. Bogujevci dhe Sami Buzolli ishin përzgjedhur nga Kosova. Buzolli ishte ndalë në luftën e dytë në kategorinë deri 48-kilogramë, nga boksieri Stephen Muchoki (Kenia), që ishte shpallur më i miri i Botërorit. Ndërkohë Bogujevci shkoi deri në fund, deri në finale.

Bogujevci, tani 68-vjeçar, boksoi në kategorinë deri 63,5 kg, ndërsa fitoi ndaj rumunit Simion Cutov, polakut Bogdan Gajda dhe në gjysmëfinale ndaj gjermanit Karl-Heinz Krueger. Në finale humbi nga rusi Valeriy Lvov.

“Të gjithë ishin top-boksierë të kohës. Titulli më i vogël i kundështarëve të mi ishte ai i Evropës. Të gjithë pra kishin tituj të mëdhenj, ishte konkurrencë e jashtëzakonshme”, ka kujtuar Bogujevci të shtunën, në një bisedë për Koha.net.

Ai ka treguar se Botërori i Beogradit ishte ngjarje shumë e madhe sportive, ndërsa interesimi i shikuesve i jashtëzakonshëm.

“Unë kam pasur përkrahje të madhe në çdo meç. Kanë ardhur nga Kosova shumë adhurues të boksit për të përcjellë meçet e mia. Kanë ardhur në grupe të organizuara. Faruk Begolli i ka pasur biletat për të gjitha mbrëmjet, por kur kam boksuar unë ka dalë jashtë palestrës. Nuk më kishte prirë fati në disa meçe që i kishte përcjellë ai dhe për këtë ai ishte larguar nga palestra kur kam boksuar unë dhe është kthyer menjëherë pasi kam përfunduar meçet”, ka treguar Bogujevci.

Për ekipin e Jugosllavisë, që fitoi gjashtë medalje të argjendta e një të bronztë, Bogujevci thotë se ishte shumë cilësor. Kuba me pesë medalje të arta ishte shpallur vendi më i suksesshëm.

“Kemi pasur ekip të jashtëzakonshëm. Unë isha kapiten i ekipit. Si gjithnjë që kam qenë kapiten”, thotë Bogujevci, që ka udhëhequr gjeneratën e vlerësuar shumë lartë të boksierëve kosovarë të mbledhur në klubin Prishtina. Klubi i boksit Prishtina mbetet prej tregimeve më të suksesshme sa i takon sportit kosovar.

Gjatë karrierës ai ka fituar medalje me vlerë, por ajo nga Beogradi mbetet kryesorja. Bogujevci e pranon që në finale rezultati ishte i drejtë.

“Për shkak të konkurrencës së fortë, unë në finale arrita i rraskapitur. Kam pasur meçe shumë të forta deri në finale dhe nuk kam mundur të ofrojë më shumë në finale. Kam boksuar i fundit, për shkak të shortit, dhe ngarkesa ishte shumë e madhe. Të gjitha luftërat ishin të forta deri në finale. Kam pasur shumë lëndime fytyrës dhe vetëm pasi shkoja te mjekët e Jugosllavisë më lejonin të boksoja. Po të ishin të vendeve tjera nuk do të më lejonin të dal në ring”, ka thënë Bogujevci.

Vitin e ardhshëm ai mund të kthehet në Beograd si udhëheqës i delegacionit të Kosovës. Nëse Kosovës i lejohet pjesëmarrja, do të ishte për herë të parë në një ngjarje ndërkombëtare që organizohet në territorin e Serbisë.

“Unë kam shpresë se do të kualifikohen tre-katër boksierë tanë. Nëse kualifikohen boksierët, pse mos të marrim pjesë. Ne jemi të pranuar me të drejta të barabarta në Federatën Botërore dhe Evropiane dhe e kemi të garantuar të drejtën e pjesëmarrjes”.

Bogujevci thoë se menjëherë pasi të lehtësohen masat e lëvizjes do të dërgojnë boksierët në Brezovicë për stërvitje bazë.

“Do të qëndrojnë 21 ditë. Më pas mund të shkojmë në Kroaci apo në ndonjë vend tjetër për të vazhduar me stërvitje. Duhet menjëherë të fillojmë me stërvitje të plota nëse dëshirojmë të kemi të kualifikuar. Është e domosdoshme që të marrim pjesë në kampe stërvitore, të përballemi me boksierë të huaj, që boksierët tanë të punojnë edhe me trajnerë të huaj. Nuk kemi pse e zbulojmë ujin e ngrohtë. Ujin e ngrohtë e kishte zbuluar në kohën tonë Lah Nimani. Tani e ka zbuluar Driton Kuka i xhudos. Vetëm duhet të ndjekim modelin e tij për të qenë të suksesshëm”, ka theksuar Mehmet Bogujevci.