Manchester City është përjashtuar për dy vite me mospjesëmarrje në garat evropiane nga UEFA.
Shtëpia më e madhe e futbollit evropian e përjashtoi Cityn pasi gjeti shkelje financiare në rregullat e Fair Play të vendosura nga UEFA.
Kampionët në fuqi të Anglisë e kanë apeluar këtë vendim në Gjykatën e Arbitrazhit sportiv (CAS), por ende nuk kanë marrë një përgjigje.
Megjithatë nëse vendimi mbetet në fuqi, atëherë City do të mbetet pa njërin nga lojtarët kryesorë në skuadër, Kevin de Bruyne.
Ka qenë vet mesfushori belg që ka paralajmëruar se do të largohet nga City nëse vendimi me përjashtim për dy vite nga garat evropiane mbetet në fuqi.
“Dy vite pa luajtur në garat evropiane do të ishin shumë të gjata. Klubi na ka thënë se do të apelojë dhe se është njëqind për qind e sigurt se ka të drejtë”.
“Kjo është arsyeja që unë ende jam duke pritur për të parë se çfarë do të ndodhë”, tha De Bruyne.
Ylli belg ka deklaruar se nëse do të ishte dënimi një vjeçar atëherë nuk do të largohej nga City.
“Kjo është arsyeja pse unë do ta rishikojë pozicionin tim. Nëse do të ishte një vit atëherë do të shikoja mundësinë për të mbetur, por dy vite janë të gjata”.
“Në vitet e fundit shumë skuadra kanë pyetur për mua, por unë jam i lumtur që jam te City, njëri nga klubet më të mëdha në botë. Fillimisht duhet të pres vendimin pastaj të shikoj rreth të ardhmes”, deklaroi De Bruyne.
Kjo deklaratë e belgut ka alarmuar skuadrat e mëdha si Real Madrid, Juventus dhe Paris Saint Germain që janë të gatshme të shpenzojnë deri në 120 milionë euro për transferimin e De Bruynes.