Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka vazhduar të marrë masa për personat të cilët s’i respektojnë masat e Qeverisë për kufizim të lëvizjes, shkruan Llapi.info.

Sipas  statistikave të Policisë, 10 persona janë ndaluar në disa Komuna në 6 raste të ndryshme.

Një  rast i tillë ka ndodhur edhe në Komunën e Podujevës. Sipas PK-së, katër persona janë shoqëruar në stacion policor, pasi të njëjtit nuk i kanë përfillur masat e Qeverisë së Kosovës.

“Podujevë 01.05.2020 – 23:25. Janë shoqëruar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit nuk kanë respektuar vendimin e Qeverisë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thotë Policia e Kosovës.

Nga nesër (e hënë) do të zgjerohet koha e lirimit të lëvizjes së qytetarëve, nga 90 minuta në ditë, në tre orë dhe në dy orare (para dhe pas dite), bëri të ditur në një konferencë për medie ministri i Shëndetësisë, Arben Vita.

Marrë parasysh të dhënat e fundit deri më tani në Kosovë, 823 persona janë infektuar, 336 janë shëruar edhe 22 kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të ri./Llapi.info