Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.Z., B.N., dhe F.N., për shkak të veprës penale ‘Pjesëmarrje në rrahje’, bëhet e ditur përmes një komunikate për media, raporton Llapi.info.
“Tre të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 20 ditësh për secilin veç e veç, pasi që Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kriteret”, thuhet në njoftim.
Gjykata tutje shton se ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri mund ti asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo falsifikojnë provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarë apo në bashkëpjesëmarrësit tjerë në kryerjen e veprës penale gjithashtu të njëjtit lihen në liri, ekziston rreziku se mund të përsërisin veprën penale, pasi që të njëjtit janë fqinjë në mes vete.
Të pandehurit A.Z., B.N. dhe F.N. me datë 02.05.2020, rreth orës 16:00, në fshatin Sfeçël të komunës së Podujevës, për shkak të një mosmarrëveshje në mes tyre, kishin marrë pjesë në një rrahje, e cila rrahje kishte rezultuar me të lënduar me lëndim të rëndë trupor.
Sipas komunikatës, palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Llapi.info