Komuna e Podujevës vazhdon ta ketë nën menaxhim pandeminë e koronavirusit, raporton Llapi.info.
Dy pacientë që kanë rezultuar pozitivë javë më parë nga kjo Komunë, sot pas ri-testimit kanë rezultuar negativë. Të njëjtit do t’i nënshtrohen sërish nesër testimit, ku edhe pritet që të shpallen të shëruar.
Për gjendjen në të cilën ndodhet Komuna e Podujevës nën pandeminë e koronavirusit ka folur epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama.
Rama për Llapi.info ka theksuar se Podujeva shumë shpejt pritet t’i jap fund kësaj pandemie.
“Sot janë ri-testuar dy qytetarë dhe të dytë kanë rezultuar negativë. Nesër kanë për t’i përsëritur sërish testimet e dyta dhe nëse dalin negativë shpallen të shëruar. Të njëjtit kanë qenë të infektuar që nga 20 prilli. Kemi bërë kërkesë nga ekipi i Institutit për marrjen e mostrave në Podujevë, i kemi edhe dy raste tjera që kanë rezultuar pozitivë para 15 dite, si dhe disa tjera janë për testim por për që s’ka shumë”, ka thënë ajo.
Rama ka deklaruar se kjo Komuna s’ka pasur raste të reja me COVID-19 që nga 20 prilli.
“Gjendja në Podujevë vazhdon të jetë e mirë dhe po mendojmë që nesër t’i japim fund me këto testime duke shpresuar që të dalin negativë dhe të shpallen të shëruar. Që nga 20 prilli s’kemi pasur raste të reja nga Podujeva”, ka thënë tutje Rama.
Më 30 prill është shpallur i shëruar edhe gjinekologu, i cili u infektua me virusin korona.
Kjo Komunë u prek me këtë pandemi më 15 mars, kur një 62-vjeçar nga fshati Dumnicë u konfirmua nga IKSHPK-ja i infektuar me COVID-19.
Aktualisht numri i të prekurve me këtë virus në Kosovë ka shkuar në 855, pas vetëm katër rasteve të reja të konfirmuara sot.
IKSHPK-ja ka njoftuar se sot janë shëruar edhe 22 pacientë, të cilët e çojnë në 403 numrin e përgjithshëm të të shëruarve./Llapi.info