Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Gllogjan në shënim të 23 – vjetorit të rënies së heroit të kombit gjeneral Luan Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj me dhjetëra qytetarë kanë vendosur nga një lule në secilin varr të dëshmorëve në këtë kompleks.
Haradinaj ka thënë se në këto rrethana të pandemisë jemi të obliguar ta ruajmë njëri-tjetrin por duhet të nderohen edhe dëshmorët e kombit.
“Në këto rrethana nderi i madh të bashkohemi në vendin e heronjve të Dukagjinit. Këtu pushojnë atdhetarë të shquar. Luftëtarë me pushkë e me penë. Është një vend që na nderon. Kombi ynë përjetësisht do t’i nderojë ata që iu kushtuan kombit. E drejtë e Zotit t’i kushtohesh vetes. Shqiptarët historia nuk i ka turpëruar,por jemi të rrethuar nga popuj lakmitarë që janë zhvilluar duke marrë nga e drejta jonë. Ky moment kthese ka qenë viti 1999. Prej atëherë shqiptarët janë në rrugën e përparimit”, tha Haradinaj.
A i ka falënderuar shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri”, tha Haradinaj.
Ndrysa, Kryetari i Deçanit ka thënë se 6 maji është dita kur ushtari i parë i UCK nga Deçani ka rënë në fushën e nderit.
“Për këtë periudhë kohore ne jemi munduar ta nderojmë lavdinë e dëshmorëve që ka rezultuar që ne sot ta gëzojmë lirinë. Kjo liri fatkeqësisht përpos të mirave që ka pas nganjëherë diskursin e fyerjeve po e shndërron në dicka që nuk i takon shtetit tonë. Brezat që po vijnë do ta lartësojnë veprën e djemve të UCK-së. Do t’i mbjellim 267 lule, aq dëshmorë sa i ka komuna e Deçanit”, tha Ramosaj duke kërkuar një minutë heshtje për të gjithë dëshmorët, herojtë e martirët e kombit.
Luan Haradinaj, i cili kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro -shqiptar.