Bazuar në rezultatet e testimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, edhe dy pacientë nga Komuna e Podujevës të konfirmuar javë më parë me COVID-19, sot janë shpallur të shëruar, raporton Llapi.info.
Nga kjo komunë sot janë testuar edhe 10 qytetarë për COVID-19, por që të gjithë kanë rezultuar negativë.
Këtë për Llapi.info e ka konfirmuar edhe epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama.
Po ashtu, Rama ka deklaruar se sot janë shëruar edhe dy pacientë llapjanë të konfirmuar me virusin korona më 20 prill.
“Sot, 10 qytetarë nga Komuna e Podujevës janë testuar për COVID-19 dhe të gjithë kanë rezultuar negativë”, ka thënë Rama.
Epidemiologia Rama ka thënë se vetëm edhe dy pacientë nga kjo komunë janë të prekur me koronavirus, e që të njëjtit pritet të shpallen të shëruar qysh nesër.
“Po ashtu, sot dy pacientë nga Podujeva janë shpallur të shëruar, nga katër sa kanë qenë të prekur me këtë virus duke u trajtuar në shtëpi. Kanë mbetur edhe dy të tjerë, e që të njëjtit nesër do t’i nënshtrohen ri-testimit dhe presim të shpallen të shëruar. Tani për tani nuk kemi raste më të reja”, ka deklaruar Rama.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka regjistruar të martën vetëm një person të infektuar dhe 87 pacientë të shëruar nga koronavirusi.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë janë regjistruar 856 persona të infektuar, 490 të shëruar dhe 26 të vdekur si pasojë e COVID-19./Llapi.info