Brenda një muaji, 10 mijë e 200 punëtorë, që dyshohet se kanë punuar jashtëligjshëm, kanë bërë kërkesë për regjistrim në Administratën Tatimore. Kërkesa e tyre për t’u regjistruar në listën e të punësuarve është e motivuar nga mundësitë financiare që ofron Pakoja emergjente e Qeverisë. Secili person që deklarohet i punësuar gjatë periudhës së emergjencës së shëndetit publik përfiton nga 130 euro për 2 muaj.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi në një konferencë virtuale për anketën me tatimpaguesit ka thënë se regjistrimi i këtyre punëtorëve ka bërë që të ulet papunësia për rreth 4 për qind.

“Është ulja më e madhe që është arritur brenda një muaji që nga viti 1990 dhe që është një sukses i madh”, ka thënë Bislimi.

Ai ka pohuar se kanë pasur target luftën e ekonomisë joformale, pasi, siç ka thënë, bizneset kanë nevojë për një ekonomi të ndershme.

“Ka përmirësim në ngritjen e tatimeve të papaguara. Është problem që të themi objektiven për këtë vit, për shkak se pandemia ka prishë matematikat, por si synim nuk e kemi shmangur dhe e kemi menduar edhe kur e kemi dizajnuar pakon emergjente”, ka thënë Bislimi të martën.

Sa u përket rezultateve të anketës me tatimpaguesit për vitin 2019, ai ka thënë se ka përmirësime, dhe, sipas tij, këta 20 vjet, në ATK është bërë punë e madhe.

“Ndryshimet e vazhdueshme në sistemin tatimor nuk janë të frytshme dhe krijojnë pasiguri. Një prej prioriteteve të mia është që me ndërhy në sistemin tatimor sa më rrallë, edhe vetëm për të përmirësuar mangësitë të cilat janë evidentuar”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij, një element tjetër që duhet t’i sigurohet tatimpaguesit, qoftë biznese ose konsumator, është që ata ballafaqohen me një Administratë efikase dhe të ndershme, meqë kjo redukton shumë koston për të bërë biznes, e me këtë mendoj që duhet të luftohet korrupsioni.

Sipas rezultateve të anketës me tatimpagues për vitin 2019, krahasimi me vitet e mëhershme (2015-2017), vështirësitë e procedurave të ATK-së kanë rënë për të gjitha pikat, posaçërisht për rimbursimin.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezi, ka thënë se në këtë institucion janë bërë disa veprime gjatë vitit të kaluar me qëllim të përmirësimit të proceseve të punës dhe përmirësimin e integritetit të institucionit të ATK-së. Por, me gjithë arritjet, ai ka thënë se kërkohet ende angazhim për shërbimet ndaj tatimpaguesve.

“Ne si institucion nuk jemi të vetëkënaqur, por përkundrazi kemi bërë shumë veprime gjatë vitit 2019, dhe në fillim të vitit 2020, me qëllim të përmirësimit të proceseve të punës dhe përmirësimin e integritetit të institucionit të ATK-së”, ka deklaruar Murtezi.