Policia e Kosovë ka ndaluar 40 persona, të cilët nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, derisa PK ka intervenuar në dy raste edhe në Podujevë, ku janë ndaluar 4 persona, raporton Llapi.info.
“Rr. Skënderbeu, Podujevë, 05.05.2020 – 11:30. Janë shoqëruar në stacionin policor tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit nuk kanë respektuar vendimin e Qeverisë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar”, thotë Policia e Kosovës.
“Rr. Zahir Pajaziti, Podujevë, 05.05.2020 – 21:20. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nuk ka respektuar vendimin e Qeverisë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thotë tutje PK.
Më 4 maj ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit.
Orari i lëvizjes së qytetarëve është rritur nga një orë e gjysmë në ditë, në tri orë, ndërsa disa biznese janë lejuar të rihapen.
Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 856 raste me koronavirus. Prej tyre, 490 janë shëruar, ndërsa 26 kanë vdekur./Llapi.info