Revista e përtremuajshme ndërkombëtare “Crisis Response Journal”, i ka kushtuar një artikull dyfaqësh reagimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Në numrin më të ri të kësaj reviste, është botuar artikulli me titull: “Albania earthquake: The Kosovo response”, si një raport për operacionin e FSK-së ndaj pasojave të tërmetit që goditi Shqipërinë para pesë muajsh.
Ai është shkruar nga John Doone, Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim (QNTKSH) të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Pomozatin, i cili në artikullin e tij është përqendruar në identifikimin e mësimeve të mësuara nga përvoja e këtij operacioni, për përmirësimin e programeve dhe objektivave të trajnimit në Pomozatin.
Performanca e FSK-së në Shqipëri, e cila i ishte bashkuar ushtrisë shqiptare në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit të viktimave të serisë së tërmeteve që kishin goditur Shqipërinë në fundvitin e 2019-s, e ka ngritur lart imazhin e kësaj force që po kalon nëpër një proces transformimi në ushtri.
“Crisis Response Journal” është një revistë ndërkombëtare që prej pesëmbëdhjetë vjetësh mbledh informacione nga raste katastrofash natyrore, por edhe të shkaktuara nga njeriu, për t’i analizuar ato me pas me qëllim të nxjerrjes së mësimeve që do t’u shërbenin shoqërive njerëzore për të reaguar ndaj krizave.