Janë shëruar sot edhe dy pacientët e fundit nga Komuna e Podujevës të konfirmuar javë më parë me COVID-19, raporton Llapi.info.

Të njëjtit sot u janë nënshtruar sërish testimit për koronavirus, por që të dy kanë rezultuar negativë.

Këtë për Llapi.info e ka konfirmuar edhe epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama.

“Momentalisht, Podujeva nuk e ka asnjë banor të prekur tashmë me virusin korona. Sot i kemi dërguar dhe dy pacientët e fundit të prekur me koronavirus në Klinikën Infektive, u janë bërë testimet e dyta, mostrat na kanë ardhur negative dhe të njëjtit janë shpallur të shëruar”, ka thënë Rama.

Tutje Rama ka apeluar tek qytetarët e Komunës së Podujevës se përkundër këtyre lajmeve të mira, kujdesi duhet vazhduar.

“Kujdesi duhet vazhduar dhe të mos lirohemi shumë. S’e kemi tashmë asnjë pozitiv me COVID-19, por të vazhdojmë në respektimin e masave”, ka theksuar Rama.

Që nga shpërthimi i koronavirusit në Kosovë, 9 persona nga Komuna e Podujevës kanë qenë të prekur me këtë virus. Prej tyre, 1 pacient tashmë ka ndërruar jetë, i cili ka pasur edhe sëmundje shoqëruese, ndërsa 8 të tjerë janë shpallur të shëruar.

Në anën tjetër, sot janë konfirmuar edhe 4 raste të reja në Kosovë, duke çuar kështu numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 860. Prej tyre, 533 janë shëruar, ndërsa 26 persona kanë ndërruar jetë.

Të gjithë personat e vdekur, sipas Klinikës Infektive kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese./Llapi.info