Sot në moshën 66 vjeçare vdiq ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj. Lajmi u bë i ditur nga familjarët e Brahimajt në facaebook.
Ceremonia e vrrimi i Brahimajt, siç njoftuan familjarët e tij, do të mbahet sot në orën 16:00, në lagjen Haxhiaj të fshatit Novosellë në komunën e Pejës. Ahmet Brahimaj i lindur më 06.12.1953 në Novosellë, Pejë, i takon Gjeneratës së Parë të Baletit të Kosovës.
Në vitin 1972, ai së bashku me balerinët e tjerë ishte kthyer në Prishtinë dhe kanë formuar Ansamblin e Baletit. Si solist i kësaj Trupe, Brahimaj ka luajtur në të gjitha shfaqjet që janë përgatitur atëkohë, pra ka luajtur në 38 premiera baleti, e në shumë premiera të tjera të Dramës.
Nga viti 1972-1991 përveç si Solist i Baletit dhe shef i Baletit, Ahmet Brahimaj ka qenë edhe në disa mandate drejtuese të Teatrit Popullor Krahinor, si: Anëtar i Këshillit Artistik dhe pleqësisë të Teatrit Popullor Krahinor të Kosovës, ndërsa pas luftës ai ka qenë Anëtar i Këshillit Artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” Anëtar i Këshillit Udhëheqës të A.K.K. V. “Shota” Kryetar i Këshillit Udhëheqës të Teatrit Kombëtar të Kosovës Anëtar i Këshillit Udhëheqës të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ahmet Brahimaj si drejtor i Baletit të Kosovës ishte njeriu kyç i rithemelimit të shkollës së Baletit respektivisht Baletit të Kosovës.
Pas luftës, së bashku me disa nga kolegët e tij ka hapur Shkollën e Mesme të Baletit, në kuadër të shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”, Prishtinë. Klasa e Ahmet Brahimajt është diplomuar në vitin 2005 dhe është gjenerata e parë pas luftës e njëherit edhe bërthama e Baletit të Kosovës. Gjithashtu, Brahimaj ka kontribuar dhe në formulimin e Ligjit të Operës, Filharmonisë dhe Baletit.
Më datën 26.11.2010, me urdhërin e Presidentit të Kosovës, me rastin e 28 Nëntorit, Ahmet Brahimaj është nderuar me çmimin “Artist i Merituar” për kontributin e dhënë në zhvillimin e Artit të Baletit në Republikën e Kosovës./21Media