Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi ka thënë se Kosovës i duhet domosdoshmërisht një qeveri stabile dhe e fuqishme.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirp nëse mendon që nëse duhet mbajtur zgjedhjet e reja apo nëse ekziston diçka që do ta thyente bllokadën në Prishtinë, ai ka thënë se shpreson që “të gjitha partitë politike, bashkë me presidentin, do të mund të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme”.

“Nuk më takon mua të ofroj mundësi. Mendoj se ata janë të angazhuar plotësisht tani. Ata kanë kërkuar edhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, jam i sigurt se udhëheqësia politike në Kosovë do të jetë e gatshme për të gjetur zgjidhje të prekshme”.

Megjithatë ai ka thënë se “koha që po humbet është shumë e vlefshme”.

“Nëse vërtet dëshirojmë të luftojmë krizën, nëse vërtet dëshirojmë ta vendosim Kosovën në rrugën evropiane, neve na duhet të bëjmë gjithçka për të gjetur zgjidhje të shpejtë për një qeveri stabile”, tha Varhelyi.