Shkencëtari nga ShBA-ja Yaneer Bar-Yam, i cili studion edhe pandemitë, ka lavdëruar institucionet e Kosovës për menaxhimin e situatës me coronavirusin.

Fizikanti Bar-Yam ka theksuar se Kosova është një storie sukses në luftën kundër COVID-19, duke shënuar shkallën më të ulët të vdekjeve nga virusi, për kokë banori.

“Falë veprimeve të shpejta dhe vendimtare duke i ndjekur këshillat e ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar, përfshirë edhe tonat, shkalla e vdekjeve për kokë banori nga COVID-19 në Kosovë është 20 herë më e ulët se në Suedi. Përkundër mungesës së resurseve dhe një sistemi të dobët të shëndetësisë, një nga shtetet më të varfëra të Evropës është bërë një storie suksesi”, ka shkruar ai në Twitter.

Studiuesi amerikan ka shtuar se megjithatë, edhe në Kosovë, njerëzit duhet të vazhdojnë respektimin e masave kufizuese shëndetësore të dala nga qeveria.