150 persona do të kthehen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Një burim brenda Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit i ka thënë KOHËS se këta persona do të kthehen të shtunën rreth orës 13:30.
Të njëjtit sipas procedurave pritet t’i nënshtrohen karantinimit. Mirëpo ndryshe nga herët tjera, të kthyerit nuk do të qëndrojnë 14 ditë, por 7 ditë.
IKSHPK-ja ka vendosur që punëtorët shëndetësorë të QKMF-së në karantinë të përcjellin gjendjen shëndetësore të personave të vendosur dhe të bëhet testimi i tyre ditën e shtatë pas arritjes.
Personat që konfirmohen pozitivë me koronavirus, por janë pa shenja klinike, është vendosur që të mbahen në izolim deri në shërimin e plotë të tyre (sipas OBSH dy teste radhazi negative së paku 24 orë e më së largu 48 orë) e nëse kanë shenja dhe simptoma të rënda klinike të hospitalizohen në Klinikën Infektive.
Ndërkaq ata të cilët konfirmohen, rekomandohet të vetë-izolohen në shtëpi 14 ditë sipas udhëzimeve të IKSHPK.