Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur një video-takim me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Siç bëhet e ditur për media, Kurti ndër të tjera ka njoftuar ambasadoren edhe për situatën me COVID-19.

Sipas njoftimit, ai ka theksuar se kriza shëndetësore me COVID-19 është menaxhuar mirë duke dëshmuar se kërkesa për gjendje të jashtëzakonshme ishte e paarsyeshme, po ashtu thuhet se Kurti e ka njoftuar për hapjen graduale të ekonomisë në Kosovë.

“Biseda u zhvillua në pritje të shënimit të Ditës së Evropës më 09 Maj, me ç ‘rast, kryeministri ka uruar Ambasadoren Apostolova duke rikujtuar se BE-ja është një projekt i fitores ndaj fashizmit. Më 09 maj, Deklarata e Shcuman shënon 70 vite të paqes, progresit shoqëror e njerëzor dhe bashkëpunimit nder shtetëror, duke e bërë Bashkimin Evropian një ndër projektet më të suksesshme të Evropës”, thuhet në njoftim.

Ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka shtoi se për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në BE mbetet orientim strategjik, dhe se këtë e kërkojnë qytetarët tanë të cilët Kosovën e shohin si pjesë të BE-së dhe që besojnë në idenë evropiane. Duke shpresuar në një vendim të shpejtë për liberalizimin e vizave, ministri në detyrë Reka uroi Ambasadoren Apostolova për Ditën e Evropës.

Kryeministri në detyrë Kurti e falënderoi BE-në për ndihmën që kanë ofruar në menaxhimin e pandemisë dhe zotimin për ndihmë në rimëkëmbje ekonomike si dhe për rolin konstruktiv që zyra e BE-së ka luajtur në këta muaj.

Ambasadorja Apostolova falënderoi kryeministrin për menaxhimin e pandemisë dhe ofroi ndihmën e BE-së në lidhje me planet dhe strategjinë për rimëkëmbjen ekonomike.