Ish-presidenti amerikan, Barack Obama ka kritikuar ashpër pasardhësin e tij, Donald Trump për përgjigjjen ndaj krizës me koronavirus.

Në një bisedë private, ai e ka konsideruar përgjigjen amerikane ndaj pandemisë si “një katastrofë kaotike”.

Obama ka thënë se dëshiron të luajë rol më të madh për të mbështetur Joe Bidenin në garën e tij për president në muajin nëntor.

Rrjeti amerikan, CNN ka raportuar se deklaratat e tij të fundit janë bërë me qëllim të inkurajimit të ish-stafit të tij, për t’u angazhuar tani në fushatën e Bidenit.

Qasja e Trumpit ndaj qeverisë duhet të fajësohet pjesërisht për përgjigjjen amerikane ndaj koronavirusit, ka thënë Obama.

“Do të ishte qenë keq edhe me qeverinë më të mirë”, është cituar të ketë thënë ai gjatë bisedës.

Deri më tani më shumë se 77,000 persona kanë vdekur nga koronavirusi, derisa mbi 1,2 milion persona janë infektuar nga po ai në Shtetet e Bashkuara.

Shumë shtete patën prezantuar masa të izolimit në muajin mars, mirëpo tani të njëjtat i kanë lehtësuar, duke mundësuar shkuarjen e njerëzve në punë.

Obama mes tjerash ka kritikuar ashpër edhe vendimin për hedhje poshtë të akuzave kundër ish-Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Michael Flynn, gjatë hetimeve për lidhjet e mundshme mes Trumpit dhe Rusisë./rel