Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se gjatë takimit është biseduar për bashkëpunimin bilateral ekonomik, si dhe rritjen e qarkullimit të mallrave dhe prodhimeve.

“Mbi bashkëpunimin në mes dy vendeve u diskutua edhe në fushën elektro-energjetike, pas pavarësimit elektro-energjetik të Kosovës nga Serbia dhe bashkëngjitjes në Bllokun Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri, si dhe funksionalizimit të interkonjeksionit 400 kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë pas më shumë së 6 vjetëve”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu njoftohet se Kurti e Minxhozi kanë biseduar për gjendjen e shëndetit publik në situatën me pandeminë COVID-19 në të dy vendet dhe bashkëpunimin në këtë drejtim.

Të dy kanë bërë thirrje për kujdesin që duhet kushtuar në vazhdim.