Gjykata e Prishtinës, dega në Podujevë, ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për t’i caktuar masën e paraburgimit të pandehurit A.Rr., i cili dyshohet për dhunë në familje, njofton Llapi.info.
Sipas komunikatës, i pandehuri A.Rr., kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij tani të dëmtuarës L.Rr. Të njëjtit, Gjykata e Podujevës i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 15 ditësh.
“Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që po të gjendet në liri i pandehuri A.RR. mund të përsëris veprën penale, po ashtu mund të ndikoj edhe në të dëmtuarën – bashkëshorten e tij L.RR. si dhe në dëshmitarët tjerë eventual”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, i pandehur është udhëzuar në të drejtën e tij që ndaj vendimit për paraburgim të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës ka paraparë që për veprën penale dhunë në familje të shqiptohet dënim me gjobë dhe dënim me burgim deri në 3 vjet./Llapi.info