Në Kosovë ka hyrë në fuqi faza e dytë e lehtësimit të masave të izolimit, të cilat ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19, raporton Llapi.info.

Në këtë fazë është përfshirë edhe lejimi i qarkullimit të transportit ndër-urban. Pas ndërprerjes dymujore, nga nesër do të nis qarkullimi i autobusëve në relacionin Podujevë – Prishtinë dhe anasjelltas, me leje të veçanta.

Këtë e a ka konfirmuar për Llapi.info edhe kryetari i 25 kompanive të transportuesve të këtij relacioni, Beqir Mustafa.

“Po, nga nesër do të fillojë puna e autobusëve në linjën Podujevë-Prishtinë dhe anasjelltas. Puna nis normal si çdo herë tjetër në ora 06:00 të mëngjesit. Janë bërë të gjitha përgatitjet, do të ketë dezinfektues dhe në autobus do të jenë më së shumti 25 pasagjerë”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë, edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit ka lejuar qarkullimin e autobusëve ndër-urbanë. Kështu ka njoftuar Oda Ekonomike e Kosovës përmes një njoftimi në Facebook, ku kanë publikuar edhe vendimin e Ministrisë.

Në vendim parashihen edhe masat mbrojtëse që duhet ndërmarrin kompanitë e transportit publik.

Ato duhet ta bëjnë dezinfektimin e hapësirës tri herë në ditë; të shfrytëzojnë 50% të kapaciteteve të mjeteve duke respektuar distancën fizike; në një set ulësesh të mos e lejojnë më shumë se një person etj. Kurse edhe udhëtarët duhet të kenë masa mbrojtëse.

“Lejohet qarkullimi i linjave nder-urbane. Pas aktiviteteve të shumta, debateve e prononcimeve mediatike dhe takimeve të një pasnjëshme në Odën Ekonomike të Kosovës, sot para pak minutave pranuam edhe vendimin nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit për të filluar puna në sektorin e transportit rrugor. Falënderojmë të gjithë juve që kontribuuat që të rifillojë puna, falënderojmë ministrin për mirëkuptim, falënderim për të gjitha mediat për mbështetje dhe korrektësi, sigurisht që puna jonë nuk do të ndalet këtu duke kërkuar lehtësime e mbështetje për sektorin privat”, shkruajnë nga OEK.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, faza e tretë e masave do të nis nga 2 qershori deri në vendimin e radhës./Llapi.info