Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nën shoqërimin e ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari dhe ministrit të Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi, kanë vizituar sot fabrikën e këpucëve “Alko” në Podujevë, njofton Llapi.info.
Me këtë rast, i pari i ekzekutivit tha se prodhimtaria që rrit punësimin është në fokus të programit qeverisës. Kurti, i cili u mirëprit nga pronari i fabrikës, Mentor Latifi, shtoi se me këto kompani që kanë mundësi punësimi do të bashkëpunojnë ngushtë.
“Me ministren Hajdari sot e pamë procesin e prodhimit të këpucëve nga punëtoret që janë gra. Kjo lloj industrie do të mund ta rriste prodhimin për shkak se ka shumë punëtorë që kërkojnë punë, por për këtë duhet të ndihmohet edhe veprimtaria me treg dhe me gjëra të tjera, në mënyrë që këto këpucë të shiten. Lëndën e parë, sic mësuam, kjo kompani e merr nga Italia. Nga Italia i ka të gjitha makineritë, makinat që janë për prerje dhe qepje dhe po ashtu në Shqipëri dhe në Itali bëhet procedimi i mëtutjeshëm, në mënyrë që të kemi prodhimin final të këtyre këpucëve. Prodhimtaria e cila e rrit punësimin është në fokus të programit tonë qeverisës andaj që me bizneset e tilla, me ndërmarrësit e këtillë, të cilët punësojnë njerëzit tanë natyrisht që do të bashkëpunojmë ngushtë”, ka deklaruar Kurti.
Pronari i kompanisë “Alko”, Mentor Latifi, duke falënderuar kryeministrit Kurti për vizitën, ka premtuar shtim të vendeve të punës.
“Kryeministrit Kurti i shprehi mirënjohje për masat e marra për Pakon Emergjente. Jemi të kënaqur me fazën fillestare. Do të vazhdojmë me punësimin e njerëzve dhe angazhimin e mëtutjeshëm”, ka thënë Latifi.
Kurse, ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari tha se Qeveria Kurti është e interesuar ta rrisë prodhimin dhe punësimin. Hajdari premtoi mundësi financiare për pajisjet që i nevojiten kësaj kompanie që merret me prodhimin e këpucëve.
“Jemi të interesuar të rrisim punësimin, prodhimin dhe si ministre e Ekonomisë do të mundohem të gjejë mundësinë financiare për të gjetur pajisjet që i nevojiten kësaj kompanie, meqë na premton se do të rrisë numrin e punëtorëve, respektivisht grave. Si Qeveri Kurti jemi të interesuar për rritjen e numrit të punëtorëve me gjini femërore dhe unë do të mundohem sa më shpejt që të vijmë te zgjidhja që produkti final i këpucës të jetë nga Kosova, e jo të shkojë si produkt gjysmë final, sepse është humbje dhe qëllimi është të rrisim fitimin e kompanisë“, tha ministrja Hajdari./Llapi.info