Kirurgu vaskular dhe deputeti i partisë politike të pavarur (FWV), në Pforzheim të Gjermanisë, dr. Halil Krasniqi, tha se pa marrë parasysh se cilët ishin personat përgjegjës të menaxhimit të situatës pandemike në Kosovë, nëse e bëjmë krahasimin me shtet tjera në botë, Kosova ka kaluar me sukses pandeminë COVID-19.

Kurse sa i përket numrit të shqiptarëve të prekur me këtë virus në Gjermani, dr. Krasniqi, tha se nga ky aspekt kosovarë janë deri më sot vetëm 33 të infektuar dhe njëri ka vdekur sepse ishte në një gjendje shumë të keqe shëndetësore edhe para infeksionit, pasi që ai vuante nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ishte në dializë.

Në një intervistë për Telegrafin, dr. Krasniqi tha kalimi me sukses i pandemisë COVID-19, ka pasur parasysh edhe kulturën, mentalitetin dhe disiplinën vetjake të popullatës në Kosovë, e cila ndryshon nga shtetet tjera. Kurse sa i përket izolimit ishte më i gjatë se ishte i nevojshëm.

Megjithatë, dr. Krasniqi paralajmëron se mungesa e mjekëve specialist si virolog, epidemiolog, specialistë të higjienës, laboratoriumeve specialistike, duhet të përmirësohen, sepse në raste të një katastrofe të vërtetë nuk mund të përballohet ajo me këto kushte poseduese.

“Pandemia COVID-19, që shtatë muaj konfrontoi popullatën e tërë botës me sakrificat problematikën shëndetësore, sociale, politike, ekonomike dhe të orientimit të vetëdijshëm në jetën bashkëkohore”, tha në një intervistë për Telegrafin dr. Halil Krasniqin, kirurg vaskular dhe deputet i partisë politike të pavarur (FËV)Frei Wähler Vereinigung në politikën lokale, dhe drejtor i Klinikës së kirurgjisë vaskulare dhe endovaskulare në Helios-Klinikën Pforzheim, Gjermani.

Telegrafi: Meqë keni një kohë të gjatë që jetoni dhe punoni në Gjermani, na tregoni pak për përvojën tuaj në shëndetësinë e shtetin më të zhvilluar në Evropë, sa i përket ballafaqimit me pandeminë COVID-19?

Dr. Halil Krasniqi: Pandemia COVID-19, që shtatë muaj konfrontoi popullatën e tërë botës me sakrificat problematikën shëndetësore, sociale, politike, ekonomike dhe të orientimit të vetëdijshëm në jetën bashkëkohore. Gjermania dhe politika gjermane menduan, apo tentuan se do të ballafaqohen me një situatë pandemie ku do të infektohen rreth 60-70% të popullatës gjermane. Këtë e ka deklaruar kancelarja Merkel në prezencën e Ministrit të Shëndetësisë dhe kryetarit të Institutit Robert Koch. Nga infeksioni i parë në Gjermani me 28 janar 2020, në ora 07:29 dhe deri sot janë infektuar 183.294, të vdekur 8.600 dhe të shëruar 164.829 me popullatën aktuale 83,15 milionë. Nga gripi sezonal në Gjermani, vdesin çdo vit rreth 15.000 të infektuar, kurse në vitin 2012/2013 vdiqën 20.000 të infektuar.

Kontributi im në periudhën e procesit të pandemisë në Gjermani, si mjekë në pozitë udhëheqëse dhe si politikan, është orientimi në organizimin e kushteve parandaluese, brenda spitalit dhe në qytet, në trajtimin e të infektuarve, mjekimin në repartin izolues dhe operativ, në përpilimin e terapisë se të sëmurave, pjesëmarrjen aktive në studime të ndryshme sa i përket statistikave dhe natyrës së virusit, pasojat shëndetësore të të infektuarve të shëruar, si dhe procedurat e rrjedhjes se izolimit të popullatës deri te lirimi i tyre. Kurse, si politikan kontribuoj në vendimet e qytetit dhe institucionit shëndetësor rreth udhëzimeve dhe instruksioneve të izolimit dhe sjelljeve ne fazat lehtësuese të lëvizjeve sociale. Kurse në funksionin tim si politikan jam përgjegjës për tëre organizimin e rihapjes së çerdheve të fëmijëve dhe të shkollave të mesme dhe fillore në nivelin e fëmijëve nxënësve dhe të mësuesve.

Telegrafi: Sa është numri i shqiptarëve të prekur me këtë virus dhe sa kanë humbur jetën deri më tash?

Dr. Halil Krasniqi: Duke marrë parasysh kujdesin tim shumëvjeçar të bashkatdhetarëve kosovarë kryesisht në Gjermani, si në jetën shëndetësore, sociale e kulturore, jam pikë kyçe e zgjedhjes së shumë problemeve, por edhe të sugjerimeve, këshillimeve, informacioneve etj. Nga ky aspekt jam i informuar dhe i njohur me të infektuarit nga Kosova dhe Shqipëria. Kosovarë janë deri sot 33 të infektuar dhe njëri ka vdekur sepse ishte në një gjendje shumë të keqe shëndetësore edhe para infeksionit. Ai vuante nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ishte në dializë.

Telegrafi: Si e vlerësoni menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19, dhe po ashtu si e vlerësoni zbutjen e masave nga autoritetet e Republikës së Kosovës?

Dr. Halil Krasniqi: Duhet cekur në mënyrë eksplicite se për disa shtete si Kosova kjo është pandemia dhe situata e parë e jashtëzakonshme civile pas luftës së fundit. Prandaj, është një situatë e jashtëzakonisht e re, e panjohur e cila kërkon përvojë, njohuri dhe parapërgatitje për ta menaxhuar ashtu sikur kërkohet. Pa marrë parasysh se cilët janë personat përgjegjës të situatës pandemike në Kosovë, mendoj se në krahasim me shtetet tjera në botë, Kosova ka kaluar pandeminë me sukses. Situata aktuale sot në Kosovë me pandemi qëndron me 1.110 të infektuar, 841 të shëruar dhe 30 të vdekur me një popullatë prej 1.907,592 banorësh. Disa organizime edhe mund të ishin me efikase por e tëra përvojë tani mundë të kontribuoj në pandeminë e radhës.

Ne kosovarët duhet pasur parasysh edhe kulturën, mentalitetin dhe disiplinën vetjake, e cila ndryshon nga shtetet tjera dhe është pikë e dobët e jona. Sa i përket izolimit ishte më i gjatë se ishte i nevojshëm. Mungesa e mjekëve specialist si virolog, epidemiolog, specialistë të higjienës, laboratoriumeve specialistike, duhet të përmirësohen, sepse në raste të një katastrofe të vërtetë nuk mund të përballohet ajo me këto kushte poseduese. Udhëzimet, instruksionet e Qeverisë së Kosovës, por edhe disiplina e popullatës kosovare, mundësoj të kalohet pandemia me një numër shumë të ulët të humbjes së qytetarëve.

Telegrafi: A mendoni se ekziston rreziku i rikthimit të coronavirusit pas disa muajve?

Dr. Halil Krasniqi: Për coronavirusin, infeksionin dhe ecurinë e tij, është diskutuar, supozuar, vlerësuar në media të ndryshme, në mjedise shkencëtarësh, politikanësh dhe shumë disiplina të shumta. Sipas vlerësimit tim shkencor, dhe të bazuar në të dhëna shkencore dhe burime të verifikuara politike, pres të kemi pas disa muajve dhe çdo vit pandemi edhe nëse jo, nga corona, nga viruset e ndryshëm.

Coronavirusi ishte “testim global i mundësive të të fuqishmëve”. Duke ju falënderuar zbulimeve shkencore, teknologjia e sotme është në gjendje të ndryshoj gjenetikën njerëzore me rrugë të ndryshme.

Telegrafi: Meqë zbulimi i vaksinës kërkon kohë, kur mendoni se një vaksinë e tillë, do të jetë e gatshme për tu aprovuar si e sigurt?

Dr. Halil Krasniqi: Vaksina është injeksion e cila në vete përmban shkaktarin e infeksionit si p.sh. virusin apo bakterin e asgjësuar (të vdekur) apo një pjesë të tij, ose helmet e tij, ose përmban sasi të vogla të patogjenëve të gjallë të dobësuar (vaksina të gjalla) të virusit apo bakteries. Kjo bën që sistemi imunitar të prodhojë antitrupa kundër këtij patogjeni specifik. Kundër SARS-CoV-2, është duke luftuar tërë bota dhe deri sot janë 130 projekte në zbulimin e vaksinës. Disa edhe janë aprovuar në proband si në Gjermani, Amerikë, France, Kinë, Angli etj. Por, asnjëra nuk kishte efekt mjekues. Në shumë raste kishte edhe të vdekur pas vaksinimit.

Në procedurat shkencore për zbulimin e një vaksine është një kohë e pashmangshme prej 1-4 vitesh. Shkaktari duhet izoluar, duhet të kryhen procedurat mikrobiologjike laboratorike, duhet testuar, probandet e injektuara duhet përcjellë dhe vlerësuar. Kontraindikacionet klinike dhe efekti i vaksinës duhet analizuar Pastaj duhet licencuar. Edhe pasi të aprovohet vaksina, duhet prodhuar sasia e vaksinës e cila është e mjaftueshme për 7,7 miliardë njerëz në botë. Vaksina e cila është duke u përpjekur të zbulohet, bazohet në përmbajtje gjenetike mRNA, e cila është në gjendje të shkaktoj mutacion në organizëm. Sipas mendimit tim, një nga 138 vaksinat në zbulim e sipër, nuk do të arrin efektin adekuat. Ekziston vetëm një vaksinë e cila është koreluese me COVID-19, dhe ajo do të aplikohet në kohën e duhur.

Telegrafi: Sa i përket rregullave të karantinimin dhe vetizolimit, a mendoni se ka pas dallim sa i përket këtyre masave në raport Kosovë- Gjermani, meqë e dimë gjendjen e sistemit shëndetësor në Kosovë i cili dallon në krahasim me atë në Gjermani?

Dr. Halil Krasniqi: Karantinimi dhe vetizolimi në Kosovë ishte i domosdoshëm dhe ka arritur efektin e duhur posi edhe në Gjermani. Kushtet e karantinimit në Kosovë ishin të vështira por pjesa dërmuese janë nënshtruar me sukses, kurse vetizolimi në Kosovë ishte më i ashpër dhe konsekuent. Karantinimi për 14 ditësh ishte i nevojshëm dhe efikas edhe në Gjermani dhe Kosovë. Sipas vlerësimit tim masat e kufizimit në Kosovë tejkaluan normat evropiane, pra zgjatën më shumë sesa është e nevojshme dhe më gjatë se Evropa.

Telegrafi: Në Gjermani njiheni si njëri ndër shqiptarët që keni arritur suksese në karrierën tuaj. Sa ka qenë i vështirë rrugëtimi juaj deri të suksesi?

Dr. Halil Krasniqi: Sa i përket karrierës sime dhe të arriturave profesionale falënderoj në radhë të parë edukatën familjare dhe mundësitë e krijuara për ta shfrytëzuar kapacitetin e inteligjencës sime personale. Në mungesën e babit të ndjerë, i cili ushtronte profesionin e tij në Stuttgart të Gjermanisë, me ndihmën vetjake në aspektin shkencor dhe më punë të zellshme permanente, që nga tetori 1988 nuk jam ndarë studimeve, punës dhe trajnimeve të vazhdueshme. Rruga ime deri të niveli i sotëm ishte mjaftë e vështirë dhe e mundshme, por me menaxhimin e rregullt dhe adekuat të punës, obligimeve dhe jetës intensive, kam arritur profesionalisht dhe njerëzisht kapacitetin 300% më të lartë se vendasit e këtij shteti.

Nga dëshira dhe inspirimi personal, mua më mjaftonte koha për të kontribuar në vitet 1999-2000 por edhe viteve tjera në Kosovë dhe Shqipëri. Aktivitetet e mija edhe sot bazohen në menaxhimin korrekt të kohës dhe gjërave me rëndësi. Mua me mjafton koha për profesionin tim, familjen, shoqërinë, vendlindjen dhe aktivitetet tjera.

Telegrafi: Ju jeni edhe deputet i partisë politike të pavarur FWV-Frei Wähler Vereinigung në politiken lokale. Cili është kontributi juaj për komunitetin shqiptarë në qytetin Pforzheim të Baden Wurttemberg të Gjermanisë?

Dr. Halil Krasniqi: Nga Maji i vitit 2019 jam zgjedhur për një periudhe legjislature prej 4 vitesh në qytetin ku punoj dhe veproj. Unë i përkas partisë politike të zgjedhjeve të lira FWV (Freie Wähler Vereinigung) dhe jam përgjegjës për disa komitete. Këtë përvojë e kam bërë edhe gjatë qëndrimit në veri të Gjermanisë. Rregullisht mundësojmë realizimin e kërkesave të shumta të bashkëqytetarëve nga nacionalitetet e ndryshme në qytet. Ndër këto janë: rregulloret e lehtësimit të leje qëndrimit me procedura afatgjate, edukimi dhe profesionet, mundësitë e integrimit në jetën e kulturës gjermane etj.

Sa i përket bashkatdhetarëve kosovar dhe shqiptar në pozitën time politike, përfaqësoj personalisht dhe me kolektiv seanca, takime, shfaqje, kongrese apo panaire në favor të vendlindjes sime. Shumë shqetësime dhe probleme të ndryshme, të cilat paraqiten nga bashkatdhetarët kryhet lehtë dhe pa komplikime. Shoqatave të ndryshme i dhurohen mundësi të shumta nga gatishmëria ime dhe kolegëve të mi gjë e cila nuk mungon në këtë aspekt.

Telegrafi: A jeni i gatshëm të ktheheni në Kosovë për të kontribuar me përvojën tuaj në sistemin e shëndetësisë, dhe për këtë a keni pasur ofertë nga institucionet e Kosovës?

Dr. Halil Krasniqi: Tanimë që pesë vite çdo dy javë, ndaj kohën time profesionale dhe sociale me vendlindjen time. Përgjatë obligimeve të shumta në Klinikën time dhe familjen, kam arritur t’i përgjigjem dëshirës dhe obligimit tim që të kontribuoj në Kosovë. Në të ardhmen do të jem më gjatë se gjashtë ditë në muaj. Kërkesat e shumta te cilat ia drejtova institucioneve të Republikës së Kosovës për të kontribuar pa asnjë dëmshpërblim në shkencën dhe përgatitjen profesionale të shume kuadrove, mbeten pa përgjigje. Ekspertizën time e ndaj në kuadrot e Shqipërisë. Personalisht nuk kam pasur oferta nga vendlindja ime, dhe se gatishmëria ime të kontribuoj në shkencës, shëndetësi ë vendlindjen time, nuk mungon.

Telegrafi: Kosova veçohet nga shumë shtete tjera për rini të re dhe të shëndosh, por e cila në të shumtën e rasteve shprehet e zhgënjyer me politikat zhvillimore për rininë. Për këtë, cili është mesazhi juaj?

Dr. Halil Krasniqi: Rinia kosovare është dominuese dhe e vetëdijshme për ardhmërinë e saj dhe edukimin bashkëkohor. Fatkeqësisht politika është kyçi kryesor i hapjes se mundësive të përgatitjes profesionale brenda shtetit. Ky faktor është kryesor, por edhe jo i orientuar në realizimin e nevojave edukative profesionale dhe shkencore të popullatës kolektive. Rinia e Kosovës duhet të vetëdijesohet se vetëm me edukim konsekuent mund të arrihet qëllimi në jetë. Të gjitha aktivitetet e shkurtra dhe të shpejta nuk janë afatgjate dhe stabile. Rinia duhet të marrë dhe pranoi atë që i ofrohet në profesion dhe punë, dhe mos të zgjedhë dhe të pres vite të tëra se dikur është vonë. Edhe dalja jashtë shtetit pa bazë profesionale nuk është zgjidhje. Unë apeloj personave përgjegjës në politikën e shtetit, të orientohen në mundësin e investimit të shteteve të huaja në vend, të krijohet industri dhe prodhim në vend, përpos universiteteve, të rregullohet përgatitja profesionale në kompani me prodhim dhe institucione kontrolluese e vlerësuese.