Disa prej institucioneve kulturore kanë nisur punën pa leje të Ministrisë së Shëndetësisë përderisa Ministria e Kulturës është e paqartë. Me dy shkresa u ka kërkuar të dalin në punë, e dy zyrtarë thonë se nuk kanë kërkuar që të nisin provat.
Përderisa në Teatrin Kombëtar të Kosovës tash e disa ditë mbahen prova, ansambli i këngëve dhe valleve “Shota” dhe Filarmonia e Kosovës kanë nisur ushtrimet të martën. Baleti Kombëtar i Kosovës do t’i nisë sot (e mërkurë).
Punonjësit e “Shotës” që në ditën e parë të rikthimit janë ankuar se nuk kanë kushte pune në raport me parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit. Por Ministria e Kulturës nuk është në gjendje që të plotësojë të gjitha kërkesat tek thotë se nuk ka lëshuar kurrfarë lejeje për të nisur punën. Pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë ka hequr dorë nga hapja e kinemave dhe teatrove që ishte paralajmëruar për fillimin e kësaj jave, “Shota”, TKK-ja, BKK-ja e FK-ja mendojnë ndryshe. Sa i përket situatës, të martën ka reaguar shoqata sindikale e pavarur e “Shotës”. Sipas reagimit, me ftesë të drejtorisë së “Shotës”, që është bazuar në vendimin qeveritar të së dielës, trupa artistike ka dalë në punë të martën. Në reagim është cituar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili të dielën mbrëma kishte thënë se institucionet e kulturës që veprimtarinë e tyre e zhvillojë në ambiente të mbyllura, konsiderohet se janë në rrezik dhe nuk duhet të fillojnë punën deri në një kohë të pacaktuar.
“Sot nga vendi i ngjarjes u vërtetua se nuk ka kushte paraprake të sigurisë ndaj COVID-19, nuk ka mjete të siguruara në vend pune, si: dezinfektues, dorëza dhe maska. Dhe nuk ka kushte për ta bërë testin e punëtorëve para se të fillojmë punën”, shkruhet në reagimin e Shoqatës Sindikale të Pavarur të “Shotës”. Aty është cekur se trupa artistike përbëhet nga punëtorë që vijnë nga të gjitha zonat e prekura nga koronavirusi, përfshirë Ferizajn e Vushtrrinë.
“Po ashtu theksojmë se veprimtaria e ‘Shotës’, si veprimtari fizike me intensitet të lartë, në veçanti valltarë, balerinë dhe instrumentistë frymorë, që nuk mund të zhvillojnë aktivitetin me maska, sepse dëmtojnë sistemin respirativ”, shkruhet në reagim. Aty kërkohet urgjentisht që menaxhmenti i “Shotës”, Ministria e Kulturës e Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të bëjnë një analizë profesionale për specifikat e veprimtarisë së “Shotës” dhe të dalin me një qëndrim që garanton shëndetin e punëtorëve e po ashtu nëse duhet të fillojë veprimtaria apo jo.
“Kërkojmë përgjegjësi dhe garanci institucionale për shëndetin e punëtorëve tanë të trupës artistike”, shkruhet në reagim.
Drejtori i përgjithshëm i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj, ka thënë se kërkesat e Shoqatës Sindikale janë të njëjtat me ato që si menaxhment i kanë bërë në MKRS. Sipas tij, duhet të bëhet testimi i punonjësve për shkak se ata vijnë nga rajone të ndryshme e më pas stafi të furnizohet me material mbrojtës.
“Ne po presim një përgjigje me shkrim sa u përket kërkesave tona. Ne të martën kemi filluar punën dhe deri në fund të javës kemi vendosur që të punojmë me grupe më të vogla. Më 22 maj e kemi bërë kërkesën në MKRS. Kjo është neglizhencë e Ministrisë”, ka thënë Gjocaj.