Superliga e Turqisë do të rifillojë të premten (sot) me dy ndeshjet që do të luhen pa praninë e shikuesve në stadiume. Kampionati i Turqisë në futboll ishte i pezulluar për rreth tre muaj për shkak të koronavirusit, njëjtë si shumica e garave sportive.

Sot, Trabzonspori e viziton Goztepen, kurse Fenerbahçe e pret Kayserisporin. Ndeshje tjera luhen të shtunën e të dielën.

Në aksion sot kthehet sulmuesi kryesor i Kosovës, Vedat Muriqi, që është pjesë e Fenerbahçes. Në pjesën e parë të edicionit ai ka treguar formë të lartë. Shpresohet se Muriqi do të vazhdojë me gola dhe kështu do të bëjë hap vendimtar drejt transferimit në ndonjë skuadër të madhe evropiane.

Nuk ka ditë që mediat turke nuk shkruajnë për mundësinë e transferimit të Muriqit te skuadra nga top-ligat evropiane. Tashmë raportohet edhe për lojtarët që do ta zëvendësojnë atë te Fenerbahçe. Por forma që do të shfaqë në ndeshjet e mbetura mund të ketë rol të madh në të ardhmen e prizrenasit.

Të premten paradite Fenerbahçe ka zhvilluar një stërvitje të lehtë, ndërsa Muriqi ka gëzuar trajnerët e skuadrës. Ai ditëve të kaluara ka pasur një lëndim muskulor, por pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Kayserisporit.

Zhvillimit të Muriqit po i gëzohen edhe te Rizespori, njëra prej ish-skuadrave të tij. Presidenti i Rizesporit, Hasan Kartal ka thënë se Muriqi është burim i krenarisë për klubin e tij.

“Vërtetë dua që Muriqi të jetë i suksesshëm. Nuk e di nëse do të shkojë te ndonjë klub tjetër apo jo. Nëse ai transferohet te ndonjë klub nga Fenerbahçe, klubit tonë i takojnë 15 për qind nga ajo shitje. Muriqi është djalosh dhe futbollist shumë i mirë. Paratë nuk janë çdo gjë. Suksesi i Vedatit është burim i krenarisë për ne”, ka thënë Kartal, raporton “goal.com”.