Një veturë luksoze, që dyshohet se është e ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, është sekuestruar nga Prokuroria Speciale.

KOHA ka mësuar se vetura është konfiskuar në kuadër të hetimeve për çështjen e autostradës së Gjilanit. Ajo veturë është në emër të vëllait të ish-sekretarit të MI-së, por, sipas hetuesisë, dyshohet se ishte blerë nga Betim Reçica. Bëhet fjalë për një veturë që vlerën e ka afër 100 mijë eurove, sipas burimeve.

Reçica është në mesin e shtatë zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës që ishin intervistuar në cilësinë e të dyshuarit lidhur me kontratat për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë. Gjatë hetimit, policia ka gjetur shkelje të ligjit nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës në tenderin milionësh për ndërtimin e autostradës së Gjilanit. Shkelje është gjetur edhe në vendimin e fundit të OSHP-së, kur e ka rivlerësuar këtë tender.

KOHA ka provuar të kontaktojë me Reçicën të shtunën, por ai s’është përgjigjur në telefon.

Në shkurt të këtij viti, Reçica ishte shkarkuar nga pozita e tij duke kaluar në listën tepricë, pas fuzionimit të ministrive në Qeverinë Kurti.