Shërbimi obligativ ushtarak po shihet si shumë i nevojshëm në Kosovë nga udhëheqës të ndryshëm institucional. Ministri Quni në një deklaratë të tij tha se me një bashkëpunim ndërinstitucional dhe koordinim me NATO-n kjo mund të bëhet realitet.
“Në lidhje me fushën e sigurisë do të ishte mirë që të jetë në konsideratë specifikat për momentin, prania ndërkombëtare ushtarake këtu dhe disa dokumente që ne duhet të ju referohemi pasi që FSK-ja është në fazën e tranzicionit që bazohet në planin gjithë përfshirës. Për një bashkëpunim ndërinstitucional që Kosova të jetë anëtare e NATO-s janë disa standarde që duhet të ju përmbahemi edhe në lidhje me shërbimin obligativ ushtarak, që është pjesë e programit qeverisës pasi që kemi përvoja të mira të disa anëtarëve të NATO-s që e praktikojnë këtë shërbim. Unë e kam përgatitur një shkrim dhe besoj të merret në konsideratë”, ka thënë Quni.
Por, sa është e mundur të ndodhë kjo?
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama për lajmi.net ka thënë se duhet të bëhet analizë e thellë dhe e përgjithshme mbi koston, infrastrukturën dhe të gjitha elementet.
Sipas Ramës, çështja e shërbimit obligativ kërkon përfshierjen e ekspertëve të brendshëm e të jashtëm dhe konsultim i ngushtë me NATO-n.
“Për momentin ne duhet të bëjmë një analizë të përgjithshme, koston, infrastrukturën, të gjitha elementet dhe pastaj të merret vendim se cila do të jetë forma. Ne jemi duke i ndërtuar kapacitetet me ligjin e ri, dhe kjo çështja e shërbimit obligativ don analizë me ekspertë të jashtëm e të brendshëm, dhe në konsultim edhe me vendet anëtare të NATO-s sepse synimi ynë është NATO”, tha Rama për lajmi.net.
Më tutje, lidhur me modelet të cilat mund t’i ndjekë Kosova në dizejnimin e shërbimit obligativ, Rama tha se ka shumë shtete, por nuk ka përmendur ndonjë prej tyre.
“Nuk mund të flas me emra konkret të shteteve, varet nga mundësitë dhe kapacitetet por ne i kemi disa shtete që mund t’i marrim qofshin anëtare ose partnere të NATO-s. Por pa u bërë analiza në detaje, nuk mund të themi më shumë”, tha Rama.
E njohësi i sigurisë dhe çështjeve ushtarake, Ramadan Qehaja lidhur me shërbimin obligativ ushtarak shprehet se është ide e mirë, por duhet të bëhen përgatitje paraprake.
“Sa i përket kësaj çështje, unë e kam përkrahur idenë e ish-kryeministrit Kurti dhe fati bisedime të ndryshme për atë se a është dashur ose jo. Por, në përgjithësi kujtoj se është ide e mirë dhe ne duhet të përkrahim këtë si të tillë, por sa i përket shërbimit të obligueshëm ushtarak duhet të bëhen shumë përgatitje paraprake në nivel vendi dhe në nivele më të ulëta në mënyrë që vërtetë nuk është lehtë t’ua marrësh fëmijët qytetarëve për shërbim ushtarak dhe të mos i bësh kushtet adekuate sepse kjo është çështje shumë serioze”, theksoi Qehaja.
Qehaja theksoi faktin se tentativat e Serbisë për ta dëmtuar Kosovën janë një arsye shtesë për ndërtimin e kapaciteteve vetëmbrojtëse.
Sipas tij, duhet të bëhen analizat dhe përgatitjet paraprake nëpër garnizone ku do të kryhen ushtrimet, të shqyrtohet edhe kohëzgjatja e shërbimit ushtarak dhe çështje të tjera.
“Në bazë të rrethimit në të cilin gjendemi në raport me Serbinë dhe tentativat e gjithnjëshme të regjimeve serbe që Kosovën ta dëmtojnë, ta shkëpusin një pjesë të saj, ose ta marrin në tërësi, ne duhet që tani të mendojmë për vetëmbrojtje, por për të bërë vetëmbrojtje adekuate, po e përsëris për vetëmbrojtje ne duhet të marrim masa konform situatës në terren, që do të thotë unë e përkrahi si ide por duhet të bëhen përgatitjet paraprake nëpër garnizone ku do të kryhen ushtrimet 3 mujore, apo 6 mujore, varësisht situatës ekonomike e financiare të vendit tonë, prandaj kjo punë nuk është aq e lehtë”, tha Qehaja.
Në fund, Qehaja tha se edhe aspekti financiar dhe ekonomik duhet të merret parasysh. Sipas tij, ky projekt nuk guxon të ndalet nëse fillon njëherë.
“Çështja financiare dhe ekonomike është shumë me rëndësi, sa do të mundemi, çfarë numri të njerëzve mund të absorbojmë ne, dhe çështje tjetër që ne në aspektin gjeostrategjik duhet të koordinohemi me NATO-n, por na duhet edhe ndihma materiale nga shtete të fuqishme vetëm për mbrojtje, atëherë ne mund t’i qasemi këtij plani, por nëse nuk bëhen përgatitjet dhe bëhen mjetet adekuate ne nuk duhet të guxojmë të hyjmë në këtë dhe pastaj ta ndalim sepse kjo do të ishte shumë keq. Si ide është e mirë dhe do të duhej një numër i madh i ekspertëve të lëmive të ndryshme të punojnë në këtë drejtim që tani, dhe siç tha ministri i Mbrojtjes duhet që kjo çështje të shtrohet me strategji mbrojtëse.”, tha Qehaja në fund.
Lidhur me shërbimin obligativ ushtarak është debatuar shumë, por ekziston pajtueshmëria se Kosovës i duhet punë për të ndërtuar kapacitetet që e bëjnë të mundur një gjë të tillë.