Llapi ka pësuar humbje në shtëpi nga Drenica me rezultat 0-2, në xhiron e 24-të të Superligës, raporton Llapi.info.

Llapjanët e nisën mirë ndeshjen me disa raste shënimi, por që Valmir Veliu dhe Kastriot Selmani s’i konkretizuan me gol.

Mysafirët nga Drenica u kundërpërgjigjen menjëherë duke realizuar për 0-1 qysh në minutën e (28’), me anë të Alban Shillova. Shillova ngriti shifrat në 0-2 në fund të pjesës së parë, me një gol mjaft diskutabil. Ky gol ngjalli protesta tek pankina e llapjanëve, pasi pretendonin se topi s’e ka kaluar vijën e portës.

Me epërsinë prej dy golave në të mirë të drenicasve përfundoi pjesa e parë në “Zahir Pajaziti”.

Nikoqirët dominuan totalisht edhe në pjesën e dytë, duke rrezikuar disa herë. Fillimisht Ersil Ymeri provoi në minutën e (50’), por goditjen e tij e priti Arion Ymeri. Rastet për vendasit i lëshuan edhe Jasmin Raboshta e Kastriot Selmani.

Llapi e pati mundësinë ideale për të ngushtuar epërsinë në minutën e (86’), por nga pika e bardhë i pasaktë u tregua sulmuesi Labinot Osmani. Me rezultatin 0-2 përfundoi ndeshja në të mirë të mysafirëve nga Drenica.

Llapi pas kësaj humbjeje vazhdon t’i ketë 37 pikë në vendin e gjashtë, kurse Drenica arkëton 34 pikë në vendin e shtatë.

Në xhiron e radhës Llapi udhëton në Drenas për t’u përballur me Feronikelin, ndërkohë që Drenica pret Flamurtarin./Llapi.info