Jayesh Kale është një koleksionist në Indi i cili ka kaluar të paktën pesë vjet duke mbledhur telefona celularë, duke i quajtur pajisjet si “bebet” e tij.
“Unë jam shumë emocional, unë nuk mund ta shoh dikë duke i hedhur telefonat e mi, nuk mund ta shoh dikë duke i thyer ata. Ata janë fëmijët e mi”, tha Kale për CNN.
Kale është një koleksionues nga Thane në Indi dhe deri më sot ai ka mbledhur gjithsej 2371 telefona celularë, transmeton Telegrafi.
“Ka pothuajse 5 vite që kur kam filluar t’i mbledh këta telefona, dhe kam mbledhur telefona nga e gjitha bota, Evropa, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Dubai dhe shumë shtete të tjera”, u shpreh Kale.
“Gruaja ime është shumë e zemëruar me mua sepse i kam përdorur të gjitha dollapet e saj për t’i mbushur me telefonat e koleksionuar nga unë, dhe telefonat e mi gjenden në çdo hapësirë të shtëpisë, në banjo, në kuzhinë, por më së shumti në veturën time”.
Kale është shumë i apasionuar nga telefonat e sidomos ata Nokia.
“Dashuria ime për Nokian filloi kur unë isha duke folur në telefon me një mik timin dhe isha në katin e dytë të kolegjit dhe telefoni më ra nga dora dhe ra në katin e parë. Fillova të vrapoja duke menduar se a do të punonte apo jo. E mora, i montova baterinë dhe e ndeza dhe punonte për mrekulli”, u shpreh Kale.
“Mendimet në lidhje me koleksionin tim janë të ndryshme, disa mendojnë se jam një djalë i çmendur dhe disa ndihen krenar me mua”.
“Unë kujdesem vazhdimisht për këta telefona sepse mendoj se ata janë fëmijët e mi”, përfundoi Kale.