Pronarët e restoranteve dhe këngëtarë të estradës, sot kanë mbajtur protestë para Qeverisë së Kosovës në shenjë pakënaqësie për shkak të moslejimit të mbajtjes së dasmave si pjesë e masave anti-COVID-19.
Në po të njëjtën protestë, këngëtari dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri, tha se virusi COVID-19 nuk ekziston.
Tahiri i cili ishte edhe organizator i protestës së sotme, tha se ka pasur kontakt me më shumë se 10 mijë persona dhe nuk është infektuar me koronavirus.
“Vallahi burrë s’po di qysh me thënë, unë s’mora asnjë sëmundje. D.m.th se 10 mijë vetave ua kam dhënë dorën. Unë e di një që herdokur ka me dalë një njeri me ndikim ndërkombëtar në mbarë botën që ka me thënë që ky virus është rrenë. A jena qitu 20 veta bashkë? A po më kallxoni mas një jave a po smuhet najkush, nëse dikush infektohet nga unë që ju kam fol 10 mijë personave unë mbaj përgjegjësi për juve dhe shkoj në burg për juve”, tha Tahiri.
Ndërkohë, Tahiri tha se nëse nuk hapen restorantet për organizimin e dasmave, ai do të këndojë jashtë Kosovës.
“Nëse vendosin që dasmat mos me u mbajt, unë do të këndojë në Mal të Zi”, ka thënë ai.
Por, para pak muajsh, ish-deputeti Tahiri bënte thirrje për kujdes ndaj virusit korona. Madje, ai mori disa iniciativa për t’i shpërndarë maskat dhe masat tjera mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe për qytetarët.
Para objektit të Qeverisë së Kosovës kanë protestuar eshe pronarët e restoranteve për moslejimin e organizimit të dasmave.
Të njëjtët në vazhdimësi kanë kërkuar nga Qeveria që të lejohet mbajtja e dasmave pasi që kanë paralajmëruar humbje të mëdha në këta sektorë.
Mirëpo, deri më tani institucionet nuk kanë marrë ende vendim për lejimin e këtyre organizimeve, si masë mbrojtëse për mospërhapjen e pandemisë./Llapi.info