Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë, njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Thaçi, në një postim në Facebook, ka shkruar se tani u takon institucioneve të Kosovës që të tregojnë mençuri dhe maturi në ndërtimin e unitetit dhe koordinimit me partnerët tanë strategjikë dhe të përkushtohemi që ta përmbyllim me sukses këtë proces.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Udhëheqja e proceseve të mëdha politike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë përcaktuese për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj.

Si President i Republikës së Kosovës e mirëpres ftesën për ta rifilluar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe të dërguarit special të tij ambasadorit Richard Grenell.

Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë, njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Tani i takon institucioneve të Republikës së Kosovës që të tregojnë mençuri dhe maturi në ndërtimin e unitetit dhe koordinimit me partnerët tanë strategjikë dhe të përkushtohemi që ta përmbyllim me sukses këtë proces”, ka shkruar Thaçi.

Ndryshe, i emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se Serbia janë pajtuar që të pezullojnë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe për të kërkuar anëtarësime ndërkombëtare.

Udhëheqja e proceseve të mëdha politike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë përcaktuese për Republikën…

Gepostet von Hashim Thaçi am Montag, 15. Juni 2020