Bashkimi Evropian (BE) ka porositur Prishtinën dhe Beogradin që çdo marrëveshje, në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, duhet të kalojë përmes një procesi negociues të udhëhequr nga BE-ja.

“BE-ja ka qenë duke e ndihmuar dialogun që nga fillimi. E ardhmja evropiane e vendeve është e mundur vetëm përmes dialogut të realizuar nga BE-ja. Nuk ka mënyrë që kjo të anashkalohet. Gjithçka që ata merren vesh më tej, duhet të përshtatet në dialogun me BE-në”, tha zëdhënësi i shefit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, Peter Stano.

Duke folur për njoftimin e dërguarit amerikan për dialogun, Richard Grenelln,lidhur me takimin e liderëve nga Kosova dhe Serbia më 27 qershor në Uashington, Stano theksoi se institucionet e Brukselit mbështesin çdo iniciativë që synon të mbështesë dhe të ndihmojë dialogun e Brukselit.

Duke mos dashur të spekulojë përmbajtjen e një marrëveshjeje të mundshme në Uashington, Stano nuk mendon se palët do te pajtoheshin “për diçka që do të parandalonte qëllimin strategjik të popullatës”, që nënkupton të ardhmen evropiane të këtyre vendeve.

Në Kosovë të martën pritet të arrijë përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe pritet të takohet me krerët institucionalë të Kosovës.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel./REL