Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19, në takimin e sotëm ka diskutuar për masat dhe veprimet që duhet të ndërmerren pas raportimit të katër rasteve të reja me të infektuar me koronavirus në komunën tonë, transmeton Llapi.info.

Në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent, të cilin e udhëhoqi nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, u tha se pas testimeve të kryera në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK të martën kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 katër persona nga tri fshatra të komunës së Podujevës.

Dy persona, që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus janë nga fshati Konushec dhe nga një në fshatrat Dumnicë e Poshtme dhe Gërdoc.

Në takim u tha se menjëherë pas konfirmimit të rasteve janë vizituar nga ekipi mjekësor i triazhimit familjet e të infektuarve dhe është bërë dezinfektimi i shtëpive ku banojnë ata.

Nënkryetari Rudari tha se pas rasteve të fundit të infektuarve me COVID19, jo vetëm në komunën tonë, vijnë si pasojë e mos respektimit të rekomandimeve të IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për zbatimin e masave mbrojtëse.

Gjatë takimit u tha se policia dhe inspektorët komunalë të koordinojnë aktivitetet në teren dhe të kryejnë inspektime të vazhdueshme në lokalet dhe objektet hoteliere dyqane e biznese të ndryshme, në mënyrë që të përcjellin respektimin e masave mbrojtëse, distancën sociale dhe bartjen e maskave.

Gjithashtu u kërkua që punëtorët e administratës komunale, punëtorët shëndetësor dhe të institucioneve të tjera, të respektojnë masat mbrojtëse dhe të pajisen me maska dhe dezinfektues.

Shtabi komunal apelon te qytetarët, që pavarësisht lehtësimit të masave, të vazhdohet me respektimin e rekomandimeve nga IKSHPK dhe MSH, duke aplikuar masat mbrojtëse, shmangien e vizitave dhe tubimeve të panevojshme dhe ruajtjen e distancës sociale.

Në Komunën e Podujevës aktualisht janë 11 raste aktive me COVID-19./Llapi.info