Auditori i Përgjithshëm ka evidentuar shkelje në tenderët e Komunës së Podujevës me ofertat nga operatorët ekonomikë, raporton Llapi.info.
Sipas ZKA-së, Komuna e Podujevës ka nënshkruar me operatorë më të shtrenjtë në tenderë, përkundër që në të njëjtat ka pasur operatorë më të lirë.
Për këtë, Zyra e Auditorit ka konstatuar se kjo përbën shkelje ligjore, derisa ndikon edhe në buxhetin komunal.
Kësisoj, Komuna e Podujevës ka nënshkruar në vetëm një tender kontratë për më shumë 75 mijë euro më të shtrenjtë, për ndërtimin e trotuareve në disa fshatra.
Sipas nenit 7.1 të LPP, Autoriteti kontraktues do t’i trajtoj operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe do të veprojë në mënyrë transparente.
“Komuna për ndërtimin e trotuareve nëpër disa fshatra Llot 2, kishte lidhur kontratë më datën 19.08.2019 në vlerë 331,177€, ndërsa kishte eliminuar operatorin ekonomik që kishte ofertën më të lirë me vlerë 255,447€. Eliminimi ishte bërë me supozimin se ka ofertuar çmime jo normalisht të ultë, mirëpo ky supozim nuk qëndron për faktin se operatori ekonomik i eliminuar ka çmime më të shtrenjta për pozicionet e kontestuara nga komuna, pra nuk kanë qenë çmime jo normalisht të ultë. Gjithashtu komuna nuk ka marr parasysh shpjegimet e dorëzuara nga operatori ekonomik mbi procesin e prodhimit të elementeve të betonit nga fabrika të cilën e zotëronte apo minierën për nxjerrjen e gurit dhe përpunimin e gurit në pronësi të operatorit ekonomik të eliminuar. Komuna e kishte eliminuar ofertuesin më të lirë me arsyetimin se kishin vlerësuar totalin e ofertës dhe jo pozicionet. Ndërsa, shpjegimet nga OE i kishte kërkuar për pozicionet”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Sipas Auditorit, mostrajtimi i barabartë i të gjithë operatorëve ekonomik përveç që është joligjore, ndikon edhe në dëmtim të buxhetit komunal.
“Kryetari të sigurohet se komisioni për vlerësimin e ofertave të tenderit i trajton të gjitha ofertat në mënyrë të barabartë dhe vlerësimi i ofertave për tender bëhet në pajtim me kriteret e dosjes së ofertës për tender dhe LPP. Gjithashtu zyrtari përgjegjës i prokurimit sigurohet se është duke u zbatuar LPP në tërësi duke ushtruar funksionin e kontrolli për parandalim dhe korrigjim të gabimeve”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së për kryetarin e Podujevës.
Duhet përkujtuar se komunarët vazhdimisht janë kritikuar edhe nga opozita për mënyrën e përzgjedhjes së tenderëve përfitues./Llapi.info