Kryetari i partisë Fjala në Podujevë, Xhevdet Maloku, ka thënë se tash në këtë kohë kur është rritur numri i rasteve me COVID-19, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, nuk po kërkon të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.
Sipas Malokut, këtë kërkesë Veliu e ka bërë nën drejtimin e Qeverisë nga Kurti, ndërsa tani s’po e kërkon në Qeverinë e udhëhequr nga Avduall Hoti.
“Gjendje të jashtëzakonshme kërkonte në atë kohë Agim Veliu si ministër në qeverinë Kurti ndërsa sot kur janë shtuar rastet e të prekurve me Covid-19 ky ministër tash në qeverinë Hoti, nuk e thotë asnjë fjalë. Qëllimi i tij dhe i kësaj qeverie tashmë është parë. Këta janë të njëjtit që e shkatërruan Kosovën dhe Podujevën tërë këto vite. Qeveri e teletabisave që vetëm presin diellin(Hashim Thaqin) të dal e të ju jap komandën”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, në kohën kur është kërkuar gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë për shkak të pandemisë kanë qenë vetëm 19 raste me virusin korona, ndërkohë që tani ka shkuar në 1,998 numri i të infektuarve, derisa ditëve të fundit është shënuar numri rekord i të prekurve brenda një dite./Llapi.info