Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot ka vizituar Klinikën Infektive ku nga atje tha se do të shtohet staf i ri për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve që po trajtohen në këtë klinikë.

“Me qëllim të përforcimit të kapaciteteve profesionale përveç stafit aktual të këtyre klinikave, një numër i profesionistëve do të angazhohen edhe përmes rekrutimit të profesionistëve shëndetësorë që është në proces, por edhe përmes vullnetarëve të gatshëm për t’u angazhuar”.

Ai tha se në Infektivë aktualisht janë duke u trajtuar 101 persona të konfirmuar me koronavirus.

Statusi i plotë:

Në vazhdën e punëve të përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë, së bashku me stafin udhëheqës të SHSKUK-së dhe IKSHPK-së vizituam Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare për të parë nga afër si po menaxhon kjo klinikë dhe të tjerat me numrin në rritje të rasteve me Covid-19, të cilat janë në tretman spitalor.

U informova për numrin e shtuar të rasteve të hospitalizuara në këtë klinikë, ku sot kishte 104 pacientë, prej të cilave 101 të konfirmuar me Covid-19, por edhe për një numër të caktuar pacientësh, tashmë të hospitalizuar në Klinikën e Pulmologjisë, e cila bashkë me Klinikën e Dermatovenerologjisë dhe Qendrën e Mjekësisë Sportive, janë vënë në dispozicion të trajtimit të rasteve me Covid-19.
Me qëllim të përforcimit të kapaciteteve profesionale përveç stafit aktual të këtyre klinikave, një numër i profesionistëve do të angazhohen edhe përmes rekrutimit të profesionistëve shëndetësor që është në proces, por edhe përmes vullnetarëve të gatshëm për t’u angazhuar.

Më pas vizituam edhe Qendrën e Mjekësisë Sportive për të parë mobilizimin e kapaciteteve në funksion të përballjes me Covid-19.

Nga takimi në Klinikës Infektive, profesionistët e saj, kanë kërkuar nga kolegët e tyre të Kujdesit Parësor që t’i përpunojnë rastet mjekësore ambulantore me kujdes. Në klinikën infektive të referojnë vetëm rastet me Covid-19, për të mos e ngarkuar klinikën me raste ambulantore dhe pa simptoma të qarta klinike për Covid-19.