Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka kundërshtuar argumentimin e kryeministrit Avdullah Hoti për heqjen e reciprocitetit.
Ajo tha se nuk mund të quhet pengesë, por veprim ekuivalent kur një shtet ballafaqohet me një padrejtësi nga një shtet tjetër, njofton Klan Kosova.
“Nëse Serbia s’është e kënaqur nga një veprim i Kosovës atëherë duhet të heqë dorë nga një veprimi i saj. Reciprociteti me Serbinë s’ka qenë asnjëherë për bllokimin e dialogut, por për sovranitet”.
“Kosova e ka dëshmuar historikisht se ka qenë e hapur për dialog. Vendosja e reciprocitetit i ka kontribuar përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, sepse duke mos vendosur do ta trimërojë Serbinë në politikat destruktive që pengojnë Kosovën”.
Osmani, për më tepër, tha se kryeministri iu referua Kosovës njëjtë si Rusia dhe Serbia.
“Çka thonë miqtë tanë dhe armiqtë tanë për reciprocitetin? Miku jonë, presidenti amerikan Trump thotë se fjala e tij e preferuar është reciprociteti. Sarkozi thoshte se në një Europë që është e hapur ndaj globalizimit duhet të ekzistojë edhe reciprociteti. Ai thoshte: “Dua reciprocitet sepse dua ta hapi tregun dhe nëse unë e hapi tregun është sepse kërkoj barazi”.
“Kërkesa jonë për reciprocitet është që ne e kemi dëgjuar dhe parim që e kemi mësuar nga miqtë tanë”.
“Çka thonë Serbia dhe Rusia? Si na quajnë neve ata? Konflikt i ngrirë. Kush e quajti Kosovën konflikt i ngrirë sot? Kryeministri i vendit. Nga viti 2008, Kosova s’është konflikt i ngrirë. Konflikte të ngrira si në vendet e ish Bashkimit Sovjetik që se kanë statusin e zgjedhur. Është për keqardhje të krahasohen me Republikën sovrane të Kosovës. S’duhet lejuar të përdoret në këtë Kuvend”.