Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka vlerësuar që vizita e parë e kryeministrit kosovar jashtë vendit, Avdullah Hoti, është bërë në Bruksel.

Pas takimit me të, të enjten, Zyra e Michelit, ka lëshuar një deklaratë ku ka folur pak edhe për ngritjen e aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar. Michel ka thënë se Specialja duhet të bëjë punën e saj në mënyrë të pavarur.

“Është e rëndësishme që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur pa ndonjë ndërhyrje nga jashtë”, ka thënë Michel, përcjell komunikata e Zyrës së tij.

Ai ka nënvizuar fokusin e fortë, të rikthyer të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, kjo u dëshmua edhe me Samitin e Zagrebit më 6 maj, ku u konfirmua mbështetja e parezervë e BE-së për perspektiven evropiane të rajonit.

“Mirëpres faktin se vizita e parë e jashtme e kryeministrit ishte në Bruksel. Gjatë takimit tonë, unë nënvizova nevojën urgjente për progres në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Emërimi iu fundit i ambasadorit Miroslav Lajçak si Përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë dëshmon fokusin e BE-së në dialog, rifillimi i të cilit është planifikuar për korrik të vitit 2000, në Bruksel”, ka thënë Michel.

Sipas komunikatës, dy liderët po ashtu diskutuan edhe për situatën e shkaktuar nga pandeminë e COVID-19.

Kryeministri Hoti po qëndron për vizitë në Bruksel.