Shkelje të shumta ka gjetur Zyra e Auditorit në Ministrinë e Infrastrukturës për vitin 2019.

Një nga shkeljet që theksohet me së shumti janë pagesat shtesë për një numër të madh zyrtarësh.

Me vetëm dy pagesa të testuara, ZKA-ja ka konstatuar se në kundërshtim me ligjin janë shpenzuar rreth 70 mijë euro, raporton KOHA.

Në dy pagesa të ndryshme, sipas raportit, MI-ja nuk ka ofruar dëshmi se personat e angazhuar kishin kontrata.

Kështu, menaxheri i autostradës Prishtinë – Gjilan ishte paguar rreth 20 mijë euro shtesë.

Një tjetër menaxher i kësaj autostrade u kompensua në mënyrë retroaktive në 2019-n, në vlerë prej 19 mijë e 328 eurosh.

Shumica e këtyre zyrtarëve ishin paguar në emër të kompensimeve për shkak që ishin themeluar disa njësi për zbatimin e projekteve, por, sipas ZKA-së, krijimi i tyre nuk ishte i bazuar në ligj.

Për t’i kryer këto pagesa, MI-ja kishte shfrytëzuar Fondin e Huamarrjes.

Megjithatë, siç e ka identifikuara ZKA-ja, angazhimet e zyrtarëve në këto njësi nuk ishin në pajtueshmëri me huadhënësin.

Raporti i ZKA-së për Ministrinë e Infrastrukturës në kohën kur është drejtuar nga ish-ministri Pal Lekaj është një nga raportet më voluminoze që janë publikuar nga auditori. Ka gjithsej 19 gjetje.

Ndër të tjera, raporti flet për projekte të pranuara pa përfunduar ende, për borxhe kontingjentale mbi 20 milionë euro dhe për mënyrën se si paguhen avancat.

KOHA ka raportuar për pagesat e parregullta për stafin civil e për kabinetin e ish-ministrit Pal Lekaj. Një çështje e tillë është duke u hetuar edhe nga Prokuroria e Shtetit.