Njëri nga tifozët më të zjarrtë të Liverpoolit është Ukë Krasniqi nga Prishtina, i cili u bë temë e mediave botërore për një premtim të tij që lidhej me klubin e madh anglez.
Uka kishte vendosur që të mos i prente flokët derisa Liverpooli të shpallej kampion i Anglisë dhe këtë ‘betim’ e kishte bërë para 17 vitesh.
Krasniqi ka folur për ndjenjat e tij, kur edhe matematikisht Liverpooli e siguroi titullin e kampionit në Ligën Premier.
“Është emocion që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Që nga fëmijëria e kam pritur këtë ditë. Isha betuar se nuk do të qethem derisa Liverpooli ta fitoj titullin”, ka thënë fillimisht Krasniqi për Telegrafin.
Ai tutje shtoi se flokët do t’i prej në momentin kur kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson do ta ngrit lartë trofeun.
“Në momentin që kapiteni Jordan Henderson ta dërgojë trofeun lart, unë do të qethem. Ky edicion ka qenë i jashtëzakonshëm, por edhe zhgënjyes për shkak të pandemisë, por në fund gjithçka përfundoi si është më së miri”, nënvizoi Krasniqi.
Mediat angleze gjatë ditës së sotme kanë pasur lajme të shumta për tifozin shqiptar të Liverpoolit.
Krasniqi aktualisht jeton në Vankuver të Kanadasë, ndërsa ka refuzuar edhe disa punë për shkak se i është kërkuar që t’i priste flokët.
37-vjeçari ka përkrahur “të kuqtë” që prej fëmijërisë falë babait të tij (Beqirit), i cili e shikonte klubin në kohën kur Liverpooli dominonte Anglinë me Kenny Dlaglishin dhe Graeme Sounessin.