Laguna Larga është një qytet i vogël në Argjentinë me jo më shumë se gjashtë mijë banorë.
Qyteti më i afërt i madh i Laguna Larga është Cordoba, në të cilin babai i Paulo Dybalas, Adolfo do ta dërgonte të birin e tij për çdo ditë me veturë duke bërë nga 140 kilometra udhë, në mënyrë që ai të stërvitej në akademinë e ekipit profesional të rajonit, Instituto.
Pak vende në botë kanë një pasion të madh për futbollin si Argjentina, vend për të cilin Dybala thotë në shaka se “kur të lindësh, së pari të japin topin”.
Si çdo fëmijë tjetër në vend, edhe Dybala ëndërronte që një ditë do të bëhej futbollist. Pas babait të tij, Adolfos, ishte Instituto që së pari vuri re talentin e jashtëzakonshëm të Dybalas, të cilit i ofroi një vend në sistemin rinor të klubit, transmeton KOHA shkrimin e CNN.
Cordoba shpesh mund të duket një botë larg nga Laguna Larga, kështu që për Dybalan që tashmë ka arritur të jetë pjesë e Juventusit dhe Përfaqësueses së Argjentinës, është diçka e jashtëzakonshme. Mbi të gjitha, i jashtëzakonshëm është fakti se ai ka mundësinë të luajë përkrah Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, dy lojtarët më të mëdhenj dhe më të suksesshëm të brezit të tij. Te Juventusi është partner i Ronaldos, kurse tek Argjentina e Messit, dhe Dybala nuk ka fjalë për ta përshkruar këtë.
“E vërteta është se unë kurrë nuk e kam imagjinuar të arrij deri në këtë lartësi. Thjesht, është e paimagjinueshme për mua që të jem partner me Ronaldon dhe Messin”, thotë Dybala. “Unë gjithmonë kam dashur të jem futbollist, gjithmonë e kam dashur shumë këtë sport dhe e vërteta është se kurrë nuk kam menduar se do të arrij këtu, në një klub aq të rëndësishëm si Juventusi. Pastaj, për të luajtur tek Argjentina dhe për të qenë përkrah lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit”.
Dybala thotë se po e jeton ëndrrën e tij, duke pasur parasysh se “është e paimagjinueshme për një person që vjen nga një qytet i vogël, me gjashtë mijë banorë, ku ëndrrat shpesh duken të paarritshme”.
Adolfo ishte jo vetëm baba për Dybalan, por edhe mik. Në vitin 2008, kur Dybala ishte vetëm 14 vjeç, e gjithë familja duhej të përpiqej dhe të pajtohej me vdekjen e papritur të Adolfos, pas një beteje të shkurtër me kancerin. Çuditërisht, humbja e besimit të tij dhe mbështetësit më të madh ndikuan në zhvillimin e Dybalas, si lojtar, ashtu edhe si një person. Megjithatë, Dybala thotë se mbështetja e familjes së tij të ngushtë në një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, e bëri të lulëzojë.