Ka më shumë se tre vite prej kur është funksionalizuar Tregu i Gjelbër në Komunën e Podujevës. Në të njëjtin ishte paraparë që të vendoseshin shitësit ambulantë, mirëpo ky treg ka mbetur i pashfrytëzuar, njofton Llapi.info.

Por, përkundër kësaj, shitësit ambulantë po vazhdojnë t’i zënë hapësirat publike të qytetit, gjersa mallin e ekspozojnë nëpër trotuare. Qysh në fillim, këta tregtarë patën thënë për Llapi.info se tregu gjendet larg qytetit. Sipas tyre, kjo ndikon që të ata të mos kenë punë. Tregtarët vazhdimisht fajësonin Komunën për lokacionin e ndërtuar të këtij tregu. Mirëpo, kërkesat e tyre s’u morën parasysh. Ata u “dëbuan” fillimisht në këtë treg, por shpejt edhe u larguan.

Funksionalizimin e tij në vitin 2017 e kishte bërë të ditur Komuna e Podujevës dhe ish-kryetari i kësaj komune, Agim Veliu. Ky i fundit pati thënë se tregu i plotëson të gjitha kushtet.

“Tregu i ri në Podujevë tashmë është i gatshëm dhe të gjithë shitësit e pemëve dhe perimeve, por edhe tregtarët e tjerë ambulantë, që tregtojnë nëpër hapësirat publike të qytetit, do të vendosen në Tregun e Gjelbër, i cili është ndërtuar sipas standardeve dhe me kapacitetin e stendave dhe objekteve plotëson nevojat e tregtarëve”, pati thënë Veliu në 2017-ën.

Prej atëherë kanë kaluar tre vjet dhe asnjë ndryshim nuk ka ndodhur: shitësit janë në rrugë e tregu i zbrazët./Llapi.info