Maurizio Sarri ka bërë histori, duke u bërë trajneri më i vjetër që ka fituar titullin e Series A të Italisë.
Sarri me 61 vjet e gjashtë muaj, ka fituar titullin e kampionit të dielën mbrëma me Juventusin, dy xhiro pa mbaruar stinori i rregullt.
Juventusi triumfoi 2:0 ndaj Sampdorias dhe ka siguruar një epërsi të paarritshme nga përcjellësit.
“Është ndjenjë e veçantë sigurisht. Është e vështirë të fitohet. Nuk ishte e lehtë, ishte rrugë e gjatë dhe e vështirë, por skuadra duhet përgëzuar që ka gjetur urinë dhe përkushtimin për të vazhduar pas tetë titujve rresht”, ka thënë Sarri për “Sky Sport Italia”.
Për Juventusin ishte titulli i nëntë rresht, ndërsa lojtari i vetëm që ka marrë pejsë në të nëntë këta tituj është Giorgio Chiellini.
Ndërkohë për herë të parë në histori të Series A trajnerët italianë kanë fituar dhjetë tituj rresht të Italisë.
“Ishte titulli më i bukur, pasi ishte më i vështiri. Ne nisëm një epokë të re, një filozofi të re, kishim shumë vështirësi dhe rrëshqitje. Ne kishim nganjëherë vështirësi të interpretonim filozofinë e trajnerit, por qëndruam të bashkuar dhe punum fortë. Do të pushojmë gjatë dhjetë ditëve dhe do të përgatitemi për sfidën e radhës”, ka thënë mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini.
Ylli portugez Cristiano Ronaldo ia ka dedikuar titullin tifozëve të Juventusit, veçanërisht atyre që kanë vuajtur dhe po vuajnë nga pandemia.
“Jam i lumtur me titullin e dytë rresht të Italisë dhe të vazhdojmë të ndërtojmë historinë e këtij klubi të madh e të jashtëzakonshëm. Titulli i dedikohet gjithë tifozëve të Juventusit, në veçanti atyre që kanë vuajtur dhe po vuajnë nga pandemia e cila na ka zënë të gjithëve në befasi”, ka shkruar Ronaldo në “Instagram”.