Me arritjen e kontingjentit të fundit të automjeteve ushtarake taktike të tipit Humvee nga SHBA-ja, Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë është bërë me 68 të tilla, ku 27 kanë qenë donacion, kurse pjesa tjetër është blerë nga buxheti i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Sipas tij, FSK-ja deri tani ka afërsisht 30 për qind të mjeteve taktike, të cilat i nevojiten.
“Janë këto pajise që ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve të reja që i kemi mbi bazën e mandatit dhe misionit”, tha Rama.
Ai shtoi së vitin e ardhshëm, FSK-ja do të pajiset me automjetet të ngjashme, por më të mëdha, të tipit Humvee. Vlera e kontratave të këtyre porosive, tash për tash është konfidenciale.
“Në të ardhmen, normalisht do të publikohet edhe kontrata edhe çmimi i tyre. Është një çmim real, një çmim i përshtatshëm dhe ne na ka hyrë në funksion”, tha Rama.
Që nga ndryshimet ligjore më 2018, Forca e Sigurisë së Kosovës është pajisur me mjete të ndryshme.
Sa i përket armatimit, disa nga to që FSK-ja ka në dispozicion janë pushkë amerikane të tipit M4 carbine, ato gjermane Heckler& Koch 5/56 dhe 9 mm, etj.
Në të ardhmen kjo forcë pritet të ketë edhe helikopterë e pajisje të tjera, thotë gjenerallejtënant Rama, por ai thotë se kjo do të varet nga buxheti.
“Jemi në proces që ta rrisim këtë numër të armatimit dhe kalibrave të ndryshëm. Për helikopterë kemi plan, por tash varet nga mundësitë buxhetore, por e kemi idenë e qartë dhe jemi në proces e sipër. E kemi ndërtuar një plan të përbashkët me partnerët tanë strategjikë. Fillimisht do t’i kemi katër e pastaj shohim në të ardhme. Por, krejt kjo varet nga mundësitë buxhetore”, tha Rama.
Rama tha se të gjitha kontratat për blerje të sistemit të armatimit dhe automjeteve taktike, FSK-ja do t’i ketë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri
Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota. Kapacitet e plota operacionale parashihen që të arrihen në fazën e tretë.
Përgjegjësitë e reja të FSK-së kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare.
FSK-ja së shpejti me strategji të mbrojtjes
Më herët është thënë se transformimi dhe ngritja e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës nga 55 milionë euro në vit, sa ka qenë në vitin 2018, në afër 100 milionë euro në vit, diku pas 5 apo 6 vjetësh. Për transformimin e FSK-së është planifikuar që buxheti për çdo vit të rritet me nga 5.5 milionë euro, që deri më tani, sipas Ramës, kjo gjë është përkrahur.
Autoritetet në Kosovë tash e dy vjet po e zbatojnë fazën e parë të transformimit e FSK-së në ushtri dhe zyrtarët theksojnë se FSK-ja është në rrugë të drejtë për t’u bërë ushtri, që do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e vendit.
Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, tha për Radion Evropa e Lirë, se shumë shpejt kjo forcë do ta ketë strategjinë e miratuar të mbrojtjes, e cila po hartohet me partnerët ndërkombëtarë. Sipas tij, për këtë, është punuar ngushtë me ekspertët nga SHBA-ja, por edhe nga Britania e Madhe si dhe në hartimin e kësaj strategjie kanë marrë pjesë edhe institucionet relevante kosovare.
Mbështetja kryesore për FSK-në vjen nga SHBA-ja
Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, thotë se në rrafshin e trajnimeve e mbështetjes në fushën mbrojtjes, ka rreth 14 marrëveshje me shtete të ndryshme.
Sipas tij, mbështetja kryesore për FSK-në vjen nga SHBA-ja, Republika Federale e Gjermanisë, Turqia, Kroacia, Britania e Madhe, Shqipëria e të tjera.
Në kuadër të mekanizmave të NATO-s, në Kosovë ushtron detyrat e tij edhe ekipi këshillues ndërlidhës i quajtur NALT, nën udhëheqjen e një oficeri në rang.
Quni thotë se gjatë këtij viti, në procedurë do të jenë edhe disa ligje, të cilat do t’i kontribuojnë avancimit të mëtejmë të FSK-së.
“Në proces për vitin 2020 është Ligji për zbarkim të FSK-së në operacione ndërkombëtare dhe një numër rregulloresh të cilat përcaktojnë dhe rregullojnë bazën ligjore të FSK-së. Kërkesat për legjislacion për të ardhmen janë Ligji për policinë ushtarake, Ligji për inteligjencën ushtarake, Ligji për kibernetikën shtetërore, ai për prokurimet e mbrojtjes, për autoritetet në gjendje të jashtëzakonshme e gjendje lufte, e të tjera”, tha Quni.
Rama: Synimi është anëtarësimi në NATO
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, tha se synimi i FSK-së është anëtarësimi në NATO. Sipas tij, FSK-ja ka një bashkëpunim të mirë me NATO-n dhe se vazhdimisht nga NATO-ja dërgohen këshilltarë të ndryshëm për të ndihmuar FSK-në në ngritjen e kapaciteteve.
“Ne kemi një ekip prej 24 këshilluesve që vijnë nga shtete e ndryshme që janë pjesë e jona dhe për çdo ditë ne bashkëpunojmë, koordinohemi e na këshillojnë për ngritjen e kapaciteteve tona të reja”, thotë Rama.
Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, tha për Radion Evropa e Lirë se beson që procesi i transformim të FSK-së duhet të përfundojë në periudhë prej 6 deri në 8 vjet.
Ai mendon se FSK-ja, në të ardhmen do të jetë një forcë e fuqishme ushtarake, që do të jetë e aftë t’i kryejë të gjitha detyrimet që dalin nga misioni dhe ligjet për forcën ushtarake të Kosovës.
“Çka ka do të thotë kjo? Që do të jetë e aftë që të mbrojë territorin e Kosovës integritetin dhe sovranitetin e vendit, të mbështesë autoritetet civile, të mbrojë jetën dhe pasurinë e qytetarëve dhe të jetë e aftë për të marrë pjesë në operacione paqeruajtëse dhe operacione të tjera humanitare në kuadër të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuar”, tha Kastrati.
Kastrati thotë se transformimin e FSK-së është e rëndësishme që po e mbështesin shtetet e fuqishme, siç është SHBA-ja dhe shtetet e tjera evropiane.
Nevojiten investime më të mëdha në sektorin e sigurisë
Njohësja e çështjeve të sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se sektori i sigurisë në Kosovës, asnjëherë nuk e ka zënë vendin e duhur në nivelin kombëtar.
Ajo thotë se FSK-ja në mënyrë vetanake nuk mund t’i arrijë të gjitha kapacitetet nëse nuk ndihmohet edhe nga faktorë të tjerë.
“Nëse niveli qendror nuk investon sa duhet në sektorin e sigurisë, kapacitetet e tilla nuk mund të ndërtohet aq shpejt. Njëkohësisht nevojitet edhe harmonizim i institucioneve të tjera. Edhe po të krijojë FSK-ja të gjitha kapacitetet e saja, ne duhet ta kemi të qartë që mbrojtja e Republikës së Kosovës, dhe integriteti territorial i saj nuk varet vetëm nga forcat e armatosura, por varet edhe nga marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe sidomos nga marrëdhëniet strategjike që i ka Kosova me partnerët e saj strategjikë”, tha Kabashi – Ramaj.
Ajo thekson se investimet në sigurinë e Kosovës, duhet të jenë më të mëdha.
“Edhe investimi karshi sektorit të sigurisë duhet të jenë më serioz, këtu përfshihet natyrisht edhe FSK-ja, pra, nëse po ndërtojmë një ushtri të mirëfilltë, atëherë duhet të sigurohemi që të gjitha kapacitet që i ka t’i përmbushen”, u shpreh Kabashi – Ramaj.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë Ushtrinë e saj.
Pas përfundimit të konfliktit të armatosur të vitit 1999, në marrëveshje me NATO-n, ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si forcë për emergjenca. Kjo Trupë më pas ishte shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
FSK-ja aktualisht numëron 2,500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë. Ky numër pas ndërrimit të mandatit, do të dyfishohet. Më mandatin e ri parashihet që të ketë 5,000 ushtarë aktivë dhe 3000 pjesëtarë rezervë.