Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka kritikuar Ministrinë e Arsimit që ende nuk i ka publikuar planet e saj për fillimin e vitit të ri shkollor, edhe pse thotë se janë vetëm tri javë nga fillimi i këtij procesi.
Përmes një postimi në Facebook, Nagavci është shprehur se fillimisht duhet një vendim i shpejtë dhe i menduar mirë për formën e mësimit, për të gjitha nivelet e shkollimit formal që nga parashkollorët dhe çerdhet e deri në arsimin e lartë.
“Duhet fillimisht një vendim i shpejtë dhe i menduar shumë mirë për formën e mësimit, për të gjitha nivelet e shkollimit formal që nga parashkollorët dhe çerdhet e deri në arsimin e lartë. Janë disa mundësi, e secila nga to kërkon trajtim të veçantë e të vëmendshëm multidimensional, kërkon vendime të marra bashkarisht nga niveli qëndror e ai lokal, nga profesionistët shëndetësor, të arsimit, sociologë, psikologë dhe të tjerë”, ka shkruar ajo.
Më tej, nënkryetarja Nagavci është shprehur se bashkë me deputetët nga Grupi Parlamentar dhe ekspertët e Komitetit për Arsim në Lëvizje, kanë diskutuar për këtë temë dhe se nesër do të inicojnë diskutimin në Kuvend.