Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se rreth gjysma e popullatës së botës, ku më shumë e ku me pak, duket se është imune ndaj infeksionit me SARS-CoV-2, shkaktarit të COVID-19, edhe pa qenë e infektuar paraprakisht këtë virus.

Në një bisedë për Klan Kosova, ai ka theksuar se këto janë të gjeturat fillestare të një numri të hulumtimeve që po e studiojnë sëmundjen COVID-19 në vende të ndryshme të botës dhe rolin e sistemit imun në ecurinë e kësaj sëmundje.

“Studimet e kryera në disa vende të botës, prej të cilave më të rëndësishmet janë ato të kryera nga studiuesit e Spitalit Universitar Charité të Berlinit të botuar në revistën shkencore Science dhe studiuesit e Duke-NUS Medical School të Singaporit, të botuar në  revistën shkencore Natyre, në fund të muajit të kaluar, kanë treguar se mostrat e gjakut të personave të painfektuar me koronavirusin shkaktar të Covid 19, përmbajnë T-qeliza SARS CoV 2 specifike, në më shume se 50% të rasteve të analizuara”.

“T qelizat, që ndryshe quhen edhe qeliza citotoksike, së bashku me antitrupat e prodhuar nga B qelizat, janë pjesë përbërëse e përgjegjes imune humane kundër infeksioneve virale, për shkak të aftësive të tyre që ti targetojnë  dhe ti vrasin në mënyrë direkte qelizat e infektuara”.

“Imunitetit§pranishëm kundër SARS-CoV-2, edhe pa qenë individi kurrë në kontakt me këtë virus, mund të jetë si pasojë e imunitetit të kryqëzuar të fituar nga të ekspozuarit ndaj koronavirusëve të tjerë, siç janë ata që shkaktojnë ftohjet e zakonshme në njerëz gjatë muajve të ftohtë, apo nga të ekspozuarit ndaj koronairusëve të tjerë shtazor ende të paindetifikuar”.

“Këto të dhëna mund të shpjegojnë edhe faktin se pse disa individ janë në gjendje që ta kontrollojnë më mirë infeksionin sesa të tjerët. Personat me këtë shkallë të caktuar të imunitetit paraprak ndaj SARS-CoV-2, edhe nëse nuk janë plotësisht imun ndaj këtij infeksioni, kur infektohen me këtë virus do të jenë në gjendje që në mënyrë më efikase ta kontrollojnë ate dhe në fund edhe ta shkatërrojnë plotësisht, duke mos e lejuar që infeksioni të zhvillohet deri në atë masë sa që dëmtimet e shumë organeve të jenë të shkallës vdekjeprurëse”.

“Këto studime kanë rëndësi të jashtëzakonshme epidemiologjike dhe klinike. Tash, arritja e imuniteti kolektiv kundër SARS-CoV-2 duket të jetë shumë më e lehtë dhe më e shpejtë; kurse T qelizat SARS-CoV-2 specifike do të hulumtohen edhe për rolin e tyre terapeutik, në rastet kur që në fillim të sëmundjes konstatohet se tek personi i caktuar këto mungojnë, ashtu edhe për zbulimin e vaksinave të cilat do të provokonin zhvillimin edhe të kësaj komponente qelizore të sistemit imun, e jo vetëm të asaj humorale që ka të bëjë më antitrupat”.