Të gjithë udhëtarët të cilët dje me aeroplanin e Vizerit nga Shkupi kanë arrit në qytetin Turku të Finlandës janë vendosur në karantinë dhe do të testohen për COVID-19.
Riita Liuksa, drejtore e Departamentit për mbrojtje civile të Turkut ka deklaruar se udhëtarët që jetojnë në Finlandë do të shkojnë në karantinë shtëpiake, ndërsa për të tjerët karantinë sigurojnë autoritetet lokale.
Ende nuk ka informacione se sa nga rreth 130 udhëtarët që arritën nga Shkupi janë finlandez dhe sa të huaj.
Udhëtarëve nuk u është lejuar të shfrytëzojnë transport publik në rrugën nga aeroporti deri te vendi i karantinës.
Institucionet kompetente do të kontrollojnë nëse karantina respektohet, ndërsa për shkeljen eventuale të saj janë paraparë dënime.
Autoritetet finlandeze më parë njoftuan se nga 157 pasagjerët të cilët me aeroplan nga Shkupi të shtunën kanë shkuar për në Turku pas testimit të kryer, 26 kanë qenë pozitivë me COVID-19
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut sot njoftoi se sipas informatave të Shërbimeve nga Aeroporti i Shkupit dhe policia kufitare, shumica e 157-të pasagjerëve në aeroplan janë shtetas të Kosovës dhe të Finlandës, ndërsa vetëm dy janë qytetarë të Maqedonisë së Veriut.
Pjesa më e madhe kanë udhëtuar me pasaporta të Kosovës 95, me pasaporta finlandeze 60, ndërsa të tjerët janë me pasaporta të Maqedonisë së Veriut dy, shqiptare, bullgare, suedeze dhe estoneze.
Asnjëri prej tyre nuk është regjistruar në bazën e rasteve pozitive me COVID-19 në vendin tonë që do të thotë nuk kanë vendim për izolim si raste pozitive nga Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor.
Megjithatë, MPJ përmes ambasadës në Stokholm e cila mbulon edhe Finlandën e ka kërkuar listën me emra të udhëtarëve te të cilët është konstatuar prania e virusit.
Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe ka paralajmëruar se pas analizës së të gjitha informacioneve do të vendoset nëse në të ardhmen do të kërkohen teste PCR për qytetarët e shteteve fqinje të cilët vetëm transitojnë nëpër vendin, raporton Alsat-M.