Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të QKUK’së, Valbon Krasniqi, sot ka takuar drejtuesit e Federatës Sindikale të Shëndetësisë në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës për pagat shtesë prej 300 eurove për muajt korrik dhe gusht.
Në komunikatë për media thuhet se Krasniqi ka njoftuar drejtuesit e FSSHK-së, në lidhje me hapat që ka ndërmarrë ShSKUK, për zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Krasniqi ka bërë të ditur se ka formuar një komision, i cili do të punojë në këtë drejtim, për çka u pajtuan edhe drejtuesit e FSSHK-së.
Sipas tij, Komisioni do të punojë ngushtë me drejtorët e klinikave të QKUK-së dhe njësitë tjera përbërëse të ShSKUK-së, me qëllim të eleminimit të keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve.
Derisa ka treguar se deri tani nuk kanë dorëzuar ndonjë listë me emrat e punëtorëve që ju takon shtesa, dhe se për një gjë të tillë do të pritet përfundimi i punës nga Komisioni i krijuar.
“Menaxhmenti i ShSKUK-së siguron të gjithë punëtorët se nuk ka dorëzuar listë me punëtorët, që ju takon kjo shtesë në ministritë përkatëse, deri në përfundim të punës së komisionit”, përfundon komunikata.