Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi vizitoi sot selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje ku u prit nga Kryetari Albin Kurti dhe asistentja e tij ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

“Në këtë takim u fol për situatën politike dhe ekonomike në vend, e në veçanti për përhapjen e shpejtë të virusit COVID-19 që ka prekur tashmë themelet e sistemit tonë shëndetësor. Renditja e Kosovës në vendin e parë në botë me më së shumti vdekje nga COVID-19 për 1 milion banorë është tashmë një alarm shtesë, edhe ndërkombëtar.

Kurti theksoi nevojën e menaxhimit të mirë e profesional si dhe të vendimeve të guximshme për daljen nga kjo krizë e shumëfishtë që ka pllakosur Kosovën.

Gjendja e shëndetit publik dhe problemet e institucioneve shëndetësore nuk bën të politizohen, por zgjidhja është politike dhe institucionale, me ç’rast legjitimiteti e besueshmëria shkojnë bashkë”, thuhet në njoftim.

Ambasadori Minxhozi dhe Kryetari Kurti do të vazhdojnë kontaktet e rregullta dhe bashkëpunimin e ngushtë.